...
Ish-deputeti Ervin Salianji ka zhvilluar një takim me mbështetës dhe demokratë në qytetin e Peshkopisë, ku ka artikuluar kritika të forta ndaj drejtimit aktual të Partisë Demokratike dhe deklaratave të Sali Berishws kundër ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato.
Gjatë fjalës së tij, Salianji tha se Partia Demokratike nuk mund të ecë përpara duke u mbyllur dhe duke sulmuar aleatët ndërkombëtarë.
“Gara është nëpër sheshe, nëpër salla, demokratët janë në këmbë. PD nuk mposhtet, nuk uzurpohet dhe nuk ecën dot mbrapsht”, deklaroi ai.
“Dua t’u përgjigjem atyre që thonë a ke figura që të mbështesin, më i votuari i Tiranës, Elbasanit, Kukësit, Durrësit, Shkodrës. Figura janë ata që përzgjedhin demokratët, jo një lidership që ka uzurpuar PD për interesa personale”, tha ai.
Salianji u shpreh se prej pesë muajsh ka zhvilluar takime në të gjithë Shqipërinë me demokratë dhe qytetarë, duke theksuar se ndryshimi në PD është e vetmja rrugë për ta sjellë partinë sërish në pushtet.
“PD është ende e vetmja forcë që mund të sjellë ndryshimin, por ajo duhet të hapet, të ndryshojë dhe të kthehet te vlerat themeluese”, tha ish-deputeti.
Ai komentoi edhe reagimin e ambasadorëve të Bashkimit Europian pas deklaratave të Berishës ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë, duke u distancuar nga ato qëndrime.
“PD nuk duhet të jetë frëngji ku gjuhen ambasadorët, siç ndodhi sot që BE reagoi më vete. Qëndrimi nuk ishte i PD-së, por i një njeriu që e ka uzurpuar dhe e mban peng Partinë Demokratike”, u shpreh Salianji.
Më tej, ai theksoi se demokratët duhet të jenë ata që zgjedhin figurat përfaqësuese të partisë dhe jo, sipas tij, një lidership i fokusuar në interesa personale.
“Nuk fitohet duke sulmuar të gjithë, por duke bashkuar dhe ndërtuar partneritet. Vetëm duke bërë këtë kapërcim cilësor, PD mund të hapet dhe të fitojë”, deklaroi Salianji nga Peshkopia.
Gjatë fjalës së tij, Salianji deklaroi se PD duhet të frymëzojë qytetarët dhe të rikthejë mobilizimin masiv të elektoratit.
“Ne duhet të frymëzojmë ndryshimin dhe të çojmë mbi 800 mijë votues në kutitë e votimit. PD duhet të ndryshojë”, tha ai.
Salianji u shpreh se takimet në të gjithë Shqipërinë synojnë ndërtimin e një Partie Demokratike që, sipas tij, mund të mobilizojë një shumicë qytetarësh dhe të rikthejë “epërsinë morale” me të cilën demokratët kanë ardhur më parë në pushtet.
“Këtë gjë e shohim edhe sot në këtë sallë të Dibrës, herën tjetër do ta bëjmë takimin në stadium”, deklaroi ai, ndërsa falënderoi demokratët e Dibrës, Durrësit, Elbasanit, Gjirokastrës, Beratit dhe Shkodrës për mbështetjen.
Ish-deputeti paralajmëroi se lëvizja e nisur prej tij do të shtrihet edhe në kryeqytet.
“Tirana po pret, nuk e kemi lënë për në fund. Ata që bëjnë zgjedhjet e degëve në Tiranë fshehurazi, do ta shkundim edhe Tiranën”, u shpreh Salianji.
Ai e cilësoi këtë si një lëvizje të paprecedentë në historinë e Partisë Demokratike, duke theksuar se për herë të parë po sfidohet kryetari në detyrë me një mbështetje të tillë nga baza demokrate.
“Nuk kemi parë kurrë në historinë e PD të sfidohet kryetari në detyrë dhe të ketë këtë mbështetje nga demokratët”, tha ai.
Në fund, Salianji deklaroi se ai dhe mbështetësit e tij nuk do të tërhiqen përballë presioneve dhe sulmeve politike.
“Nuk kemi ofenduar askënd, kemi dashur të mos përçajmë, por kemi marrë fyerje, shantazh dhe linçim. Po e them edhe nga Dibra, mua dhe mbështetësit e mi as nuk na trembin, as nuk na shantazhojnë. Nuk zmbrapsemi, me ne u ka ngecur sharra në gozhdë”, deklaroi Salianji.
Më tej Salianji ka ashpërsuar tonet ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndërsa tha se PD ndodhet në një moment kritik dhe se lidershipi aktual nuk është më zgjidhje për rikthimin e partisë në pushtet.
“E vërteta është e thjeshtë, kjo parti nuk vazhdon dot më kështu. Nuk pretendojmë dot ndryshim për Shqipërinë kur nuk ndryshojmë dot veten”, deklaroi ai.
Sipas tij, Partia Demokratike po përballet me një krizë të thellë besimi, ndërsa qytetarët janë të pakënaqur me qeverinë, por nuk mbështesin drejtimin aktual të PD-së.
“Shqiptarët janë të pakënaqur me qeverinë dhe Edi Ramën, por në të njëjtat sondazhe nuk mbështesin lidershipin e PD. Kjo është e vërteta që duhet ta themi që ta shërojmë më pas”, tha Salianji.
Ish-deputeti demokrat deklaroi hapur se Sali Berisha nuk mund ta rikthejë Partinë Demokratike në pushtet.
“Sali Berisha nuk e sjell dot PD në pushtet, as sot, as nesër dhe as kurrë. Çdo ditë që ai qëndron në krye të PD është fitore personale për të, por humbje e madhe për PD-në, opozitën dhe Shqipërinë”, u shpreh ai.
Salianji akuzoi Berishën se po abuzon me besnikërinë e demokratëve dhe respektin për historinë e tij politike.
“Ai abuzon me besnikërinë e demokratëve dhe respektin e njerëzve për moshën dhe historinë e tij”, deklaroi Salianji.
Në vijim, ai ngriti pyetje mbi përgjegjësitë për humbjet e njëpasnjëshme të Partisë Demokratike ndër vite.
“Si është e mundur që PD humbi më thellë se zgjedhjet e vitit 1997? A mund të kalojë kjo pa përgjegjësi? Jo, jo dhe jo”, tha ai.