...
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se nuk komunikon më me ndërkombëtarët, të cilët, siç thotë ai, i dëshirojnë të keqen Serbisë.
Në këtë kontekst, gjatë qëndrimit të tij në Shid, ai përmendi Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
“E shihni që kam pushuar së foluri për Marta Kos. Nuk do të them asnjë fjalë për të”, tha Vuçiç, sipas mediave serbe.
Komentit të të pranishmëve se ai duhet të flasë ende me të, duke marrë parasysh faktin se është Presidenti i Serbisë dhe Kos është Komisionere e BE-së përgjegjëse për zgjerimin, Vuçiç iu përgjigj me tone kritike.
“Për çfarë tjetër duhet të flas? Për çfarë duhet të flas me ata që gënjejnë për Serbinë? Për çfarë duhet të flas? Sidoqoftë, është e rëndësishme për mua që Serbia të jetë në rrugën evropiane”.
Pak ditë më parë Bashkimi Evropian pezulloi mbështetjen financiare për Serbinë pas paralajmërimeve që lëshoi ndaj Beogradit për ndërhyrjet në sistemin gjyqësor.
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos theksoi se Serbia nuk do të jetë në gjendje të marrë mbështetje financiare nga Plani i Rritjes, derisa të adresojë të gjithë shqetësimet e raportuara në gjyqësor.
Marta Kos vuri në dukje se një vend që është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian “nuk mund të ulet në dy karrige dhe se në një moment Serbia do të duhet të bëjë një zgjedhje”.
Kujtojmë se Kos do ta realizojë vizitën e saj të parë në Kosovë të premten, më 15 maj.