...
Në GJKKO zhvillohet sot në orën 12:30 seanca e radhës për dosjen “Partizani” me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi e të tjerë, për privatizimin e kompleksit shumësportësh Partizani.
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka pranuar kërkesën e SPAK për thirrjen në gjyq të 11 dëshmitarëve. Në seancën e sotme pritet të dëshmojnë 8 prej tyre, duke nisur nga deputeti i PS Taulant Balla, në cilësinë e kallëzuesit të çështjes. Në listë janë dhe drejtues të rëndësishëm të ish klubit të futbollit “Partizani” apo edhe ish shumësportëshit me të njëjtin emër.
Ish presidentët e Partizanit Albert Xhani dhe Paro Laçi dhe ish drejtorët Bujar Labinoti, Afrim Tole, Isa Tare pritet të dëshmojnë mbi procedurat që u ndoqën për t’i marrë atyre pronën ku vazhdonin aktivitetin sportiv.
Në dosjen e SPAK thuhet për shembull se ish-drejtorit të viteve 1995-2005, Isa Tare ka dëshmuar se atij iu premtua një apartament që të mos kundërshtonte privatizimin.
Po në SPAK edhe ish Presidenti Paro Laçi ka thënë se i është ofruar një pazar nga njerëzit e Berishës për të liruar ambientet e klubit. Ndërsa Afrim Tole, drejtor i Klubit Shumësportesh Partizani, në vitet 2006-2008 ka bërë para hetuesve të SPAK një pasqyrë të të gjitha pronave që “de facto” dhe “de jure” posedonte klubi.
Në radhë është dhe Dhurana Çela dhe Petrit Kullolli. E para ish drejtorëshe e Agjencisë së Pronave për Tiranën dhe i dyti topograf, në grupin e atyre që shqyrtuan dosjen e “Partizanit”. Sipas SPAK, dosja e ish-kompleksit Partizani, ishte nga të parat që u shqyrtua nga agjencia e Pronavel, ndërsa një dëshmi në prokurori e ish drejtorëshës se përgjithshme të Pronave Justina Boriçi konfirmon se Dhurata Çelën e kishte emëruar me rekomandim nga lart.
Dëshmitarët e SPAK në seancën e sotme
Taulant Balla Kallëzuesi i aferës Partizani
Afrim Tole Ish-shefi i Klubit Partizani
Isa Tare Ish drejtori i kompleksit
Bujar Labinoti Ish drejtori i kompleksit
Albert Xhani Ish presidenti i Partizanit
Paro Laçi Ish presidenti i Partizanit
Dhurata Çela Ish drejtoreshë e AKKP Tiranë
Petrit Kullolli Topograf në AKKP Tiranë
Ndërkohë GJKKO në seancën e kaluar pranoi dhe kërkesën e mbrojtjes së Berishës dhe Malltezit për të thërritur si dëshmitar dhe kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit pritet të dëshmojë në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës i cili sipas tyre ka ka firmosur ndryshimin e destinacionit të truallit të ish kompleksit Partizani, nga terren sportiv për ndërtim, në kohën kur ka qenë kryetar.