... Nami.al

Deputetët ratifikojnë marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për zgjidhjen e konflikteve në botë.

Për marrëveshjen votuan 103 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Çfarë është Bordi i Paqes?

Më 22 janar, është themeluar Bordi i Paqes gjatë një ceremonie të mbajtur në Davos të Zvicrës. Bordi u lansua nga presidenti amerikan, Donald Trump, si një trup i ri për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.

Ish-residentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte ndër themelueset e Bordit të Paqes dhe e ka përkrahur plotësisht nismën e Trumpit.

Ky trup i ri fillimisht ishte i përqendruar në zbatimin e marrëveshjes për përfundimin e luftës Izrael-Gazë, ashtu siç është miratuar nëntorin e vitit të kaluar me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Por, Karta e Bordit nuk e kufizon rolin vetëm në Gazë.

Bordi do të udhëhiqet nga Trumpi, ndërkaq ai do të ketë edhe Bordin Ekzekutiv ku janë emëruar si anëtarë: sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, miliarderi Mark Rowan, biznesmeni amerikan Ajay Banga dhe këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Robert Gabriel.

Ndërkaq, Nickolay Mladenov, politikan bullgar do të jetë përfaqësues i Bordit të Paqes në Gazë.

Ndërkaq, si mekanizëm i Bordit të Paqes është krijuar edhe Forca Ndërkombëtare Stabilizuese, përmes së cilit Kosova do të dërgojë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Kjo forcë për Gazën është pjesë e planit 20-pikësh të Trumpit për të arritur paqe në Gazë.

Plani është pranuar në tetorin e vitit të kaluar nga Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, kur u vranë mbi 1.200 njerëz në Izrael dhe mori qindra pengje.

Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mijëra të vrarë, krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dërgimin e trupave, ndërkaq më pas ushtruesja e presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka autorizuar dërgimin e FSK-së në Gazë./REL