...
Ambasadori amerikan në NATO, Mattheë Whitaker, ndodhet për një vizitë në Shqipëri.
Ai ka vizituar bazën ajrore të Kuçovës, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi.
“Duke fluturuar mbi Bazën Ajrore të Kuçovës, e rinovuar përmes fondeve të NATO-s, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Mattheë Whitaker, dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, diskutuan aftësinë e Shqipërisë për t’u bërë një nyje logjistike e NATO-s në rajon përmes investimeve në Korridorin VIII, si dhe mënyrat se si Shqipëria mund ta çojë sigurinë rajonale në nivele më të larta përmes rritjes së shpenzimeve në fushën e mbrojtjes”, bën me dije Ambasada amerikane në Tiranë.
Më herët, Witaker u takua me kryeministrin Edi Rama.
Kryeministri ka nënvizuar lidhjen e ngushtë mes Shqipërisë dhe SHBA-së, partneritetin strategjik mes dy vendeve, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera diplomatike e ushtarake, forcimi i të cilave mbetet një prioritet i përbashkët.
Gjithashtu, Rama ka bërë të ditur se në takim është folur për Samitin e NATO-s që do të mbahet vitin e ardhshëm në Tiranë, një ngjarje historike ku Shqipëria do të shndërrohet në pikëtakimin e aleancës më të madhe ushtarake në botë.
“Në kryeministri, me ambasadorin e SHBA në NATO, Matthew Whitaker, folëm për lidhjen e ngushtë mes vendeve tona, partneritetin strategjik mes shteteve tona, marrëdhëniet tona të shkëlqyera diplomatike e ushtarake, forcimi i të cilave është prioritet i përbashkët, si edhe për Samitin e NATO-s vitin e ardhshëm në Tiranë, ku Shqipëria do të bëhet pikëtakimi i aleancës më të madhe ushtarake të botës”, shkruan Rama.