...
Ish-prokurori i Durrësit, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në procesin gjyqësor për atentatin ndaj tij të ndodhur në nëntor 2019, ku mbeti i vrarë Andi Maloku dhe u plagosën vetë Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.
Në këtë çështje po gjykohen Amar Shkëmbi dhe Bledar Polovina, të akuzuar si të përfshirë në atentatin e ndodhur në mbikalimin e Shkozetit. Shkëmbi nuk është paraqitur në seancë, por ka deklaruar se do të përfaqësohet nga avokatët e tij.
Gjatë dëshmisë së tij, Ndoja deklaroi se në atë periudhë nuk kishte konflikte të drejtpërdrejta, përveç sulmeve politike ndaj tij.
“Në 2019 kam qenë prokuror në Durrës. Përveç anatemimit që më kanë bërë figura të larta politike, nuk kam pasur asnjë lloj problematike tjetër,” – u shpreh ai në gjykatë.
Ai theksoi se nuk kishte informacion mbi autorët dhe as ndonjë paralajmërim për ngjarjen.
“Nuk kam mësuar as më pas, idenë se kush na ka qëlluar. Për Andi Malokun kam dërgu njerëzit e mi që të interesoheshin për gjendjen e tij shëndetësore. Familjarët nuk dinë asgjë por as i ndjeri nuk ka parë gjë se ato nuk kanë qëlluar paralel kanë qëlluar nga mbrapa.” – deklaroi Ndoja.
Në sallën e gjyqit, ai mohoi të njihte të pandehurit dhe tha se emrin e Plaurent Dervishit e njeh vetëm nga një procedim i mëparshëm.
“Të pandehurit e këtij procesi unë nuk i njoh… Plaurent Dervishin e njoh si emër se ka pasur një procedim në Durrës,” – tha ai.
Ish-prokurori ngriti gjithashtu dyshime se në atë periudhë mund të ketë qenë nën vëzhgim nga struktura shtetërore.
“Për shkak të sulmeve politike unë kam pasur dyshime mos më kanë vënë shërbime të posaçme të policisë, për shkak të vettingut,” – deklaroi Ndoja.
Duke rrëfyer momentet e atentatit, ai përshkroi se si ngjarja ndodhi në lëvizje, ndërsa automjeti u godit me armë zjarri pranë mbikalimit të Shkozetit.
“Në momentet e para nuk e kam kuptuar se ishin të shtënat me armë zjarri. Krismat nuk kanë qenë më breshëri kanë qenë të ndara. Kanë qenë dy armë pasi bënin zhurma të ndryshme dhe intervali i kohës i gjuajtjes. Që kur kanë filluar krismat deri kur automjeti ka dalë nga rruga ka zgjatur rreth 20 sekonda. Kur u plagos i ndjeri Andi Maloku ai i dha gaz makinës dhe kemi goditur një nga barrierat e rrugës dhe kemi përfunduar jashtë rruge. Kur kemi dal nga rruga dhe ka ndalu se ka ngec makina në kanal vetëm Andi Maloku ishte me i vetëdijshëm dhe ai ka marrë babin në telefon dhe i ka thënë babë na kanë gjujt,” – tha ai.
Sipas dëshmisë së tij, pas humbjes së kontrollit të automjetit dhe përplasjes, ai humbi ndjenjat.
“Kur kam tentuar të dal nga makina kam humbur ndjenjat dhe nuk më kujtohet më. Ndërsa Andi Maloku u rrëzua kur hapi derën sepse mesa duket plumbin e kishte në shtylle kurrizore.” – u shpreh Ndoja.
Ai shtoi se nuk ka marrë kurrë informacione konkrete për autorët dhe se askush nuk i është drejtuar për të shpjeguar ngjarjen.
“Përveçse nga organi i prokurorisë apo vendimet gjyqësore, nuk ka ardhur askush të na thotë pse ka ndodhur kjo gjë,” – deklaroi ai.
Në përfundim të dëshmisë, Ndoja tha se nuk ka pasur lidhje me persona të përmendur në hetim dhe se nuk ka pasur asnjë aktivitet të dyshimtë financiar apo biznesi me ta.
“Unë edhe sot jam këtu sepse nuk i kam borxh askujt,” – përfundoi ai.
Atentati ndaj Arjan Ndojës, ish-prokuror në rrethin e Durrësit, ndodhi në 2019 pranë mbikalimit të Shkozetit. Ish-prokurori, së bashku me “Rrumin” dhe shoferin Andi Maloku, ndodheshin në një fuoristradë që u qëllua me breshëri automatiku nga një tjetër automjet në lëvizje.
Hetimet e SPAK zbuluan një rrjet të gjerë personash të lidhur me Plaurent Dervishajn, të cilët përmes komunikimeve të koduara në aplikacionin “Sky ECC” kishin organizuar ndjekjen dhe më pas ekzekutimin e atentatit. Motivimi mendohet të ketë qenë një konflikt për interesa pronësie dhe influencë në zonën e Gjirit të Lalëzit.
Zyrtarisht për atentatin e 1 nëntorit 2019 Prokuroria e Posaçme ka akuzuar 11 persona. Plaurent Dervishajn, Julian Meçajn, Julian Pjetrin, Arjol Halilajn, Amar Shkëmbin, Bashkim Haxhijan, Bledar Polovinën, Endrit Sinanin, Genti Nderjakun, Ramazan Rrajën e Redjan Rrajën.
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 35 vite burg Arjol Halilajn dhe burgim të përjetshëm Redjan Rrajën ndërsa të tjerët presin të gjykohen