... Nami.al

Alaudin Malajt i mohohet kandidimi për anëtar në Gjykatën Kushtetuese

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka vendosur zyrtarisht ndalimin e kandidimit të Alaudin Malajt për postin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese.

Vendimi lidhet me vendin vakant të shpallur nga presidenti i Republikës më datë 31 tetor 2025.

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në përbërje të plotë të anëtarëve të tij dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ftuar, në përputhje me pikën 2, të nenit 233 të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, zhvilloi të mërkurën, më datë 15.04.2026, mbledhjen e radhës, sipas rendit të ditës të publikuar në njoftimin zyrtar.

Pas prezantimit të relacioneve të përgatitura nga relatorët, për kandidatët që kanë aplikuar për vendet vakante të shpallura nga Institucioni i Presidentit të Republikës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi:

Ndalimin e kandidimit të z. Alaudin Malaj, për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës, me datë 31.10.2025”, thuhet në vendimin e marrë sot nga KED.

Alaudin Malaj ka qenë ish-kryetar në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Pesë vite më parë, për shkak të dorëheqjes para vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi pranoi dorëheqjen e tij, vendosi ndalimin e emërimit të Malajt në sistemin e Drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.