...
Kryetari i PD-së Sali Berisha, ka mbajtur sot një bashkëbisedim me fermerët në Berat.
Berisha tha se ajo që bën Shqipëria nuk ndodh në asnjë vend të botës, sepse nuk ka shtet që nuk subvencionon naftën.
“Nuk ka vend në botë që nuk subvencionon naftën. Fermeri është i kërcënuar nga momenti në moment. Nafta ka shkuar në atë çmim, sa nuk mund të punohet më toka, se nuk ka leverdi. Gjermania para tre javësh e dyfishoi subvencionimin e naftës dhe ka ndërhyrë përsëri sot. Kjo, sepse ndryshe fermerët falimentojnë. Falimentimi i fermerëve është një dramë familjare e tyre dhe goditje për të gjithë shoqërinë.
Sot ju miq jeni 38-39 përqind e popullsisë dhe jepni 19 përqind të PPB-së. Ju merrni si shpërblim për këtë 0.2 të PPB-së. Nuk ka asnjë vend tjetër si Shqipëria. Shikoni Kosovën si subvencionon fermerët, ka 4-fishin e subvencionimit për fermerët se ç’ka Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut këtë raport subvencionimi ka. Qeveria tallet me fermerin dhe kjo sjellë toka djerrë, kjo sjell largim masiv nga Shqipëria, kjo sjell importet, kjo sjell çmime stratosferike”, tha Berisha.
Duke folur për Ballkanin e Hapur, tha se fermeri serb, që subvencionohet, ka përparësi ndaj fermerit shqiptar.
“Ballkani i Hapur është një goditje e madhe ndaj fermerit shqiptar. Serbia sigurisht që dominon. Kjo sepse atje subvencionohet nafta. Nuk ka investime në bujqësi, asnjë investim serioz. Kanë ikur kompani nga më të mëdhatë. Këtu ka qenë SHELL-i, investoi 1 miliard, që ka ardhur që më 2009. TAP-i mbaroi, ishte kontraktuar përpara se të vinte Rama në pushtet. Asnjë kompani e madhe nuk ka ardhur. Nuk kanë ardhur sepse kur shikojnë klimën, kur shikojnë se kanë marrë peng atë në AKSH, çfarë do bëjnë këtu. Situata është shumë e vështirë dhe do përgjigje”, u shpreh Berisha.
Premtoi se kur PD të vijë në pushtet, do të rritet subvencionimi në bujqësi 5 herë. Tha se fermerëve do u jepet naftë pa asnjë taksë.
“Ne e kemi një program dhe është program që ju do të keni përparësi. Ne kur ishim në qeveri, investuam 3 miliardë euro në Shqipërinë rurale. Shqipëria rurale më 2005, sa i përket rrjetit rrugor, 95 përqind ishin rrugë të trashëguara në shekuj. Nuk shkohej në atë mënyrë. Ne bëmë çdo gjë e do bëjmë çdo gjë, që në fshat infrastruktura të jetë ajo e lagjeve të qytetit. Siç e ka lagjja në qytet infrastrukturën, siç ka qendrën shëndetësore, çdo gjë që duhet për të jetuar, duhet ta ketë dhe fshati. Nuk e çuam deri në fund atë projekt. Gjykuam se potencial janë ullinjtë dhe ne investuam tek ato. Subvencionet në bujqësi do të rriten 5 herë kur të vijmë në qeveri, do shkojnë në 250 milionë. Ky është vetëm fillimi. Taksat mbi naftën do jenë sa në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Fermerëve do u jepet nafta pa asnjë taksë”, deklaroi kreu demokrat.