... Nami.al

Aksioni i SPAK kundër grupit të strukturuar kriminal: Urdhërarrest për Mir Pepën, në pranga i vëllai dhe dy anëtarë të grupit (EMRAT)

SPAK ka finalizuar sot një operacion kundër një grupi të strukturuar kriminal ndërkombëtar lidhur me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.

Mësohet se me vendim të GJKKO-së, janë lëshuar 11 masa sigurie, mes tyre edhe për një emër të njohur si Jetmir Pepa alias Marashi.

Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 3 anëtarë të grupit, Lulzim Pepaj, Florian Marku dhe Anton Kola. Ndërsa tetë të tjerë janë shpallur në kërkim. Disa prej këtyre të fundit nuk ndodhen në Shqipëri.

Masat janë lëshuar me kërkesë të prokurorit Alfred Shehu.

Përmes një njoftimi, SPAK bën të ditur se në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 12 milionë euro pasuri të ndryshme.

Po ashtu, SPAK bën të ditur se ky grup kriminal ka trafikuar në disa episode rreth 7.5 ton kokainë nga Amerika Latine në Europë.