...
Janë mësuar detaje të reja nga operacioni i SPAK që çoi në nxjerrjen e 11 urdhër-arresteve mes të cilëve edhe ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe djalin e tij, Eralbi Breçanin. Ish-zyrtari i policisë që pas largimit nga radhët e uniformave blu ka drejtuar një biznes privat security dhe djali i tij akuzohen për përkrahje të autorit të krimit në një ngjarje kriminale dhe pastrim parash.
Sipas të njëjtave burime gjithçka është zbuluar nga zbërthimit i telefonave të enkriptuar “Sky ECC”. Ata kanë pasur lidhje me Ervin Matën një emër të njohur për drejtësinë i cili është shpallur në kërkim.
Raportohet se Breçani dhe Mata kanë edhe lidhje krushqie me njëri-tjetrin pasi djali i Breçanit është i martuar me motrën e Ervin Matës. Mata u përfshi në një përplasje me armë në zonën e ish-Bllokut në 2018-ën me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha një nga shoqëruesit e këtij të fundit. Ai u qëllua nga ish-komandoja Merviol Bilo. Mata është prej vitesh në kërkim nga policia.
Mesohet se mes të arrestuarve në kuadër të operacionit të gjerë të Prokurorisë së Posaçme është edhe një zyrtare e Policisë së Shtetit. Në pranga ka përfunduar Jonida Babameto, oficere e drejtorisë së kufirit dhe migracionit. Një tjetër polic i arrestuar është edhe Dedan Gjoni, shef i krimeve në komisariatin e Policisë numër 6.
Sipas asaj që raportohet ka edhe efektivë të tjerë të arrestuar në këtë operacion. Ndaj tyre rëndojnë akuza për pastrim parash, grup i strukturuar kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje e autorit të krimit.