... Nami.al

GJKKO lë në burg Xhuljano Hoxhën

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për 31-vjeçarin Xhuljano Hoxha, i cili u ekstradua një ditë më parë nga Britania e Madhe.

Hoxha akuzohet si pjesë e grupit kriminal që organizoi kultivimin e 870 kilogramëve kanabis në fshatin Drenovicë të Beratit, në kuadër të një operacioni të gjerë të zhvilluar në nëntor të vitit 2022.

Gjatë seancës gjyqësore, e cila u drejtua nga gjyqtari Bib Ndreca, me pjesëmarrjen e prokurores Elida Kaçkini, i pandehur nuk ka bërë asnjë deklarim. Ndërkohë, avokati i caktuar kryesisht, Arben Peçi, kërkoi nga gjykata caktimin e një mase më të butë sigurie, kërkesë e cila u rrëzua nga trupi gjykues.

Prapaskena e mega-operacionit të vitit 2022 në Berat

Xhuljano Hoxha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u prangos në Angli në tetor të vitit të kaluar, ndërsa masa e sigurisë “arrest me burg” ishte caktuar në mungesë nga GJKKO në prill të 2025.

Operacioni i nëntorit 2022 në Drenovicë të Beratit solli ndalimin e 105 personave, ku 95 prej tyre ishin gra të punësuara për përpunimin e lëndës narkotike. Sera, në pronësi të Hamdi Dylit, ishte e ndarë në katër parcela nga dy dynym secila. Përveç 11 personave të vënë në pranga në atë kohë, nën hetim u vunë edhe 57 efektivë të Policisë së Beratit, përfshirë drejtues të lartë, ku 7 prej tyre u përjashtuan përgjithmonë nga radhët e bluve.

Pasi Prokuroria e Beratit shpalli moskompetencë, dosja i kaloi SPAK-ut për shkak të përfshirjes së dy grupeve kriminale të strukturuara. GJKKO ka dënuar më parë me gjithsej 111 vite e 8 muaj burg 17 persona të përfshirë në këtë skemë, përfshirë dy drejtuesit kryesorë të grupit, Sadetin Hasaj dhe Blerim Xheka, të cilët u dënuan me nga 8 vite e 8 muaj burgim secili.