...
Një çift të moshuarish u gjetën të vdekur pranë vendit ku shpërtheu zjarri i madh në ishullin e Salaminës në Greqi.
Sipas Shërbimit Zjarrfikës, ekipet e emergjencës kanë evakuuar gjithashtu katër persona me djegie, të cilat dyshohet se nuk janë të rënda. Të plagosurit janë transportuar në qendrën lokale të ndihmës së parë.
Një person i moshuar është evakuuar nga banesa e tij në fshatin Kaki Vigla, rreth 8 kilometra në verilindje të Peristerias.
Autoritetet kanë bërë të ditur se Roja Bregdetare është në gatishmëri për të kryer evakuime të tjera nga deti, nëse situata e kërkon.
Në terren ndodhen 192 zjarrfikës, të mbështetur nga nëntë njësi të forcave speciale për operacionet pyjore, vullnetarë, 32 automjete zjarrfikëse, gjashtë avionë dhe tetë helikopterë.
Operacioni për vënien nën kontroll të zjarrit vijon, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën dhe mundësinë e përhapjes së flakëve.