...
Ornella Forastefano u rrah brutalisht dhe më pas u la përpara urgjencës së spitalit në Trebisaçe, në Kalabri. Ajo ishte 46 vjeçe dhe kishte dy fëmijë, me të cilët administronte një bar në qendër të qytetit të vogël.
Kur mjekët vunë re praninë e saj jashtë spitalit, e ndihmuan menjëherë, por dëmtimet ishin shumë të rënda dhe nuk arritën t’i shpëtonin jetën.
Gruaja jetonte prej një viti e gjysmë me Elvis Metvelaj, 42 vjeç, shtetas shqiptar, i njohur më parë nga autoritetet për trafikim të lëndëve narkotike. Në orët menjëherë pas sulmit, ai u bë i pakapshëm dhe pak më vonë u ndalua në portin e Barit, ndërsa po përpiqej të hipte në një anije për në Shqipëri.
Hetimet po kryhen nga karabinierët e Njësisë Hetimore të Komandës Provinciale të Kozencës.
Për momentin, provat në dispozicion bëjnë të mendohet për një femicid, por do të jetë marrja në pyetje e burrit të ndaluar ajo që do të ndihmojë në sqarimin e mënyrës se si ka ndodhur ngjarja.
Viktima i përkiste familjes Forastefano, e njohur për çështje të lidhura me ’Ndrangheta-n, por hetuesit nuk kanë treguar ndonjë lidhje mes këtij konteksti familjar dhe vdekjes së saj.
“Mami, boshllëku që ke lënë është i pashpjegueshëm. Ende nuk arrij ta besoj, më duket si një makth.
Këtë mëngjes, kur erdhi ajo telefonatë, mund të imagjinoja gjithçka, por jo që nuk do të të shihja më kurrë”, shkroi në rrjetet sociale vajza e Ornella-s, Maria Cosentino.
Ajo vazhdon:
“Unë jam e fortë, mami, por ende kisha nevojë për ty, për mamanë time dhe jo vetëm mamanë, por edhe shoqen time më të mirë.
Për atë person që ishte gjithmonë aty kur kisha një problem, shpatullën ku mund të mbështetesha kur rrëzohesha, dhe anasjelltas ti tek unë.
Ti ke qenë gjithmonë aty për mua dhe Ettore-n dhe fakti që ti ishe vetëm në atë moment, pa ndihmën tonë, më bën të ndihem tmerrësisht keq.
Askush nuk do të të sjellë më tek ne, por herët a vonë do të takohemi përsëri dhe më në fund do të mund të të përqafoj e të të them se të dua shumë, pa bërë të fortën me atë karakterin që kam.
Të falënderoj për gjithçka që ke bërë për mua dhe Ettore-n. Na ke rritur e vetme, duke bërë një mijë sakrifica.
Mos u shqetëso, unë do të kujdesem për Ettore-n sikur të ishe ti, edhe pse pa ty nuk do të jetë kurrë më e njëjta gjë.”