...
Raporti vjetor i veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për vitin 2025, paraqet një tablo komplekse të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
ILD pretendon se ka kaluar nga faza e konsolidimit drejt një “maturimi institucional”, duke u fokusuar te cilësia e inspektimeve dhe integriteti i magjistratëve.
Siç thuhet në dokument, kjo qasje synon jo vetëm kontrollin, por “ngritjen e standardit të shërbimit dhe forcimin e besimit të qytetarëve te drejtësia”.
Paradoksi i shifrave
Gjetja më goditëse e raportit është hendeku i madh mes pretendimeve të qytetarëve dhe masave disiplinore përfundimtare. Gjatë vitit 2025, ILD u përball me një volum rekord: 3,272 ankesa ishin objekt shqyrtimi (përfshirë ato të mbartura), nga të cilat 1,792 ishin ankesa të reja.
Raporti e interpreton këtë fluks si shenjë pozitive, duke theksuar se: “Ky trend progresiv, në krahasim me vitin paraardhës, dëshmon rritjen e besimit të publikut tek roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”.
Megjithatë, kur vjen puna te procedimet, numrat tkurren ndjeshëm. Nga mbi 1,600 ankesa të trajtuara, vetëm 12 hetime disiplinore u nisën dhe vetëm 8 procedime disiplinore u propozuan pranë Këshillave.
Kjo diferencë shpjegohet me faktin se një pjesë dërrmuese e ankesave arkivohen (1,211 pas shqyrtimit fillestar) sepse nuk plotësojnë kriteret ligjore ose lidhen me vendimmarrje gjyqësore që nuk mund të inspektohen.
Raporti sqaron: “Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar fillimin e procedimit disiplinor për 8 magjistratë, për 3 magjistratë kërkesat për procedim janë paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe për 5 magjistratë kërkesat për procedim janë paraqitur pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.
Zvarritja e gjyqeve
Shqetësimi kryesor i shqiptarëve mbetet vonesa e pafundme e proceseve. 33% e ankesave të trajtuara lidhen me zvarritje të gjykimit dhe hetimit.
Situata është veçanërisht kritike në Tiranë, ku Gjykata e Shkallës së Parë mban peshën e 41.3% të totalit të çështjeve në rang vendi.
Raporti vë në dukje se: “Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vitin 2024 vijon të mbajë peshën kryesore në ngarkesën totale të sistemit me 53,112 çështje”. ILD ka konstatuar vonesa në arsyetimin e vendimeve që kalojnë çdo afat logjik, duke dëmtuar imazhin e drejtësisë, sepse “tejkalimi i afateve logjike është thuajse i barabartë me mungesën e drejtësisë”.
Mungesa e Inspektorëve
Pavarësisht kërkesave në rritje, ILD vetë vuan nga mungesa e personelit. Gjatë vitit 2025, institucioni kishte 10 vende vakante për pozicionin “inspektor”.
Rekrutimi i magjistratëve mbetet një sfidë, pasi shumë nuk shfaqin interes për shkak të kritereve strikte të vjetërsisë, çka solli edhe nevojën për ndryshime ligjore.
Raporti specifikon: “Për vitin 2025 organika e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, vijon të jetë e paplotësuar me 10 vende në pozicionin ‘inspektor'”.
Ky raport 2025 dëshmon se, ndonëse ILD ka forcuar mekanizmat e tij, “makineria” e llogaridhënies në drejtësi ende punon me ritme që nuk përputhen me pritshmëritë dhe volumin e ankesave të qytetarëve, të cilët mbeten të ekspozuar ndaj vonesave sistematike dhe mbingarkesës së gjykatave./vna