... Nami.al

Erion Veliaj kërkoi lirimin nga qelia, Kushtetuesja urdhëron rigjykim në Gjykatën e Lartë

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të rikthejë çështjen “Veliaj” në Gjykatën e Lartë, për rigjykim të masës së sigurisë “arrest në burg”.

Ky vendim u mor bazuar në një opinion të dhënë nga Komisioni i Venecias dhe vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë.

Gjyqtarët vendosën 5-3 në favor të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

“Në përfundim Gjykata, me shumicë votash vendosi:

-Pranimin e pjesshëm të kërkesës

-Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-1153 (173), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

-Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga Ligji Organik i Gjykatës dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Kushtetuesja. 

Procesi gjyqësor për shqyrtimin e kërkesës së Veliajt kundër masës “arrest në burg”, u mbajt më 20 maj. Seanca u mbajt me dyer të mbyllura dhe pa praninë e palëve.

Në argumentin e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se i është cenuar liria individuale, por duke qenë Kryetar i Bashkisë, cenimi i lirisë është i dyfishtë, pasi ai nuk mund të ushtrojë detyrën.

Veliaj ka argumentuar se masa e vendosur ndaj tij nuk është proporcionale, për shkak se ai është një qytetar i zgjedhur sipas Kushtetutës.

Kjo nuk është hera e parë që Erion Veliaj kërkon ndryshim të masës së sigurisë, në këtë gjykatë por dhe të gjitha shkallët e gjyqësorit, ku kryetarit të bashkisë së kryeqytetit i janë rrëzuar kërkesat.

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025. Sipas SPAK, ai ka konsumuar disa vepra penale si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Në të njëjtin hetim, në akuzë është vënë dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa si dhe disa biznesmenë. Veliaj dhe bashkëshortja e tij i mohojnë akuzat.