... Nami.al

“Opozitën e drejton mbeturina më e neveritshme komuniste” – Rama “shpërthen” ndaj Berishës në Durrës

Gjatë festës së 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Durrës, kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PS-së, ka sulmuar Sali Berishën.

Teksa tha se Partia Socialiste është ndarë nga periudha e komunizmit, Rama e cilësoi Berishën si “mbeturina më e neveritshme komuniste”.

“PS është një parti liberale dhe një parti e lidhur ngushtë me atë Luftë Nacionalçlirimtare që e vendosi Shqipërinë në krahun e duhur të historisë.

Por, nga ana tjetër, PS e ka të qartë që në hapat e parë raportin me atë pjesë që na lidh me diktaturën komuniste, ndërsa të tjerët kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë sot komunistët dhe jo komunizmin.

Ndërkohë që PS i ka vlerësuar komunistët për atë që kanë qenë dhe e ka refuzuar komunizmin për atë që ka kryer.

Nuk është rastësi që sot, në anën tjetër, vazhdon dhe mbijeton në krye të asaj që gabimisht quhet opozitë, një mbeturinë e komunizmit, e komunizmit në formën e vet më të neveritshme, siç e përcaktonte Vaclav Havel: formën më të keqe e ka te komunisti-antikomunist”, tha Rama.