...
Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, përmes një postimi në platformën “X”, ka zbardhur temat që u biseduan gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Ai shkruan se mes tij dhe kryeministrit, Edi Rama, u diskutuan çështjet rajonale, si dhe theksin e vuri tek Himara. Dendias shkruan se beson që prejardhja e tij më e hershme mund të jetë nga Himara, teksa theksoi se pakica greke është një urë miqësie midis dy popujve.
“U prita nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës sime në Tiranë. Analizuam situatën më të gjerë gjeopolitike në rajonin tonë.
Kisha mundësinë të flas për Himarën, nga ku besoj se kam prejardhjen time më të hershme, dhe të ritheksoj qëndrimin tim se pakica kombëtare greke është një urë miqësie mes dy shteteve dhe popujve“, shkruan ai në platformën “X”.
Dendias zhvilloi sot një takim që zgjati rreth dy orë me kreun e qeverisë, Edi Rama dhe me përfaqësues të tjerë, ku mes tyre i pranishëm ishte dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. Sipas mediave greke, këto takime kanë në fokus procesin e përcaktimit të kufirit detar.
Vetë kryeministri Rama, ka ndarë një foto në rrjetet sociale, krahas së cilës shkruan: “Me Ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, një mik i çmuar dhe një mbështetës i palëkundur i partneritetit strategjik mes Shqipërisë e Greqisë!”