Author Archive Page

Irani, kërkesë të re SHBA-së për paqe

Ndërmjetësuesit pakistanezë po presin një propozim të rishikuar nga Irani për t’i dhënë fund konfliktit me Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë një version të mëparshëm.

Burime diplomatike bëjnë të ditur se një përgjigje e re nga Teherani mund të vijë deri të premten. 

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Irani ka paraqitur tashmë një draft të ri përmes ndërmjetësve pakistanezë, në një kohë kur negociatat mes dy vendeve duket se kanë ngecur.

Propozimi i mëparshëm i Teheranit parashikonte hapjen e Ngushticës së Hormuzit si hap të parë dhe trajtimin e çështjeve bërthamore më vonë, por u refuzua nga Washingtoni. 

Presidenti Trump ka theksuar se statusin e bisedimeve e dinë vetëm ai dhe disa persona të tjerë, duke lënë të kuptohet se negociatat po zhvillohen “telefonikisht”.

Ai ka shtuar se çdo përgjigje ndaj propozimit iranian do të varet nga sa larg Teherani është i gatshëm të shkojë në kufizimin e programit bërthamor. 

Paqëndrueshmëria e situatës ka reflektuar menjëherë në tregjet e energjisë. Nafta Brent për korrik u rrit me 1.04 dollarë (0.94%) në 111.44 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u rrit me 41 cent (0.39%) në 105.48 dollarë për fuçi. Kontratat e Brent për qershor, që skaduan të enjten, arritën në 126.41 dollarë për fuçi – niveli më i lartë që nga marsi 2022. 

Armëpushimi dhe afatet ligjore 

Edhe pse më 8 prill palët kishin rënë dakord për një armëpushim, bisedimet vazhdojnë me synimin për një marrëveshje më të përhershme që do të siguronte paqen dhe stabilitetin në rajon. 

Në të njëjtën kohë, afati 60-ditor i përcaktuar nga Akti i Pushteteve të Luftës i vitit 1973 për miratimin e Kongresit po skadon. Shumë ligjvënës e shohin 1 majin si datën kur përmbushet ky afat, bazuar në njoftimin e Presidentit Trump për fillimin e operacioneve më 2 mars. Pa miratimin e Kongresit, ligji kërkon që presidenti të ndërpresë çdo përdorim të forcave amerikane. 

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka argumentuar se afati mund të “ngrihet” në rast armëpushimi, ndërsa disa senatorë republikanë insistojnë se presidenti mund ta zgjasë përfshirjen ushtarake edhe për 30 ditë të tjera. 

JPMorgan kundërpërgjigjet: Akuzat për ngacmim seksual ndaj Lorna Hajdinit, janë trillim

Gjiganti bankar amerikan JPMorgan Chase ka kundërshtuar zyrtarisht padinë e ngritur ndaj drejtueses së lartë Lorna Hajdini, duke deklaruar se akuzat për ngacmim seksual dhe abuzim racial janë të pabazuara dhe të fabrikuara.

Padia u ngrit nga një ish-punonjës i identifikuar si Chirayu Rana, i cili fillimisht përdori pseudonimin “John Doe”, duke pretenduar se Hajdini kishte ushtruar presion seksual, kishte përdorur fyerje racore dhe kishte përfshirë edhe përdorim të substancave ndaj stafit.

Pas depozitimit të padisë, JPMorgan nisi një hetim të brendshëm për të verifikuar akuzat. Sipas kompanisë, u shqyrtuan komunikime elektronike, përfshirë email-e dhe regjistra telefonikë të punonjësve, por nuk u gjet asnjë provë që të mbështeste pretendimet e Rana.

Në një deklaratë publike pas hetimit, banka tha se nuk sheh “asnjë bazë reale” në akuzat e ngritura.

Sipas kompanisë, ndërsa disa punonjës bashkëpunuan me hetimin, vetë paditësi refuzoi të marrë pjesë dhe nuk paraqiti elementë kyç që do të mbështesnin versionin e tij.

Raportime mediatike në SHBA pretendojnë gjithashtu se Rana nuk ka qenë drejtpërdrejt nën mbikëqyrjen e Hajdinit, ndryshe nga sa thuhej në padi, por thjesht koleg në të njëjtin ekip financiar.

Avokatët e Hajdinit kanë kundërshtuar fort akuzat, duke deklaruar se klientja e tyre nuk ka qenë kurrë në vendin ku pretendohet të ketë ndodhur sulmi seksual.

Ndërkohë, dokumentet gjyqësore janë tërhequr për korrigjime procedurale, ndërsa JPMorgan po shqyrton mundësinë e kërkimit të dëmshpërblimit për dëmtim reputacioni, duke argumentuar se çështja ka shkaktuar pasoja për imazhin dhe interesat e kompanisë.

Rasti mbetet nën shqyrtim dhe pritet të rikthehet në gjykatë pas riformulimit të dokumentacionit ligjor.

Erion Veliaj letër komunitetit ndërkombëtar: Monitoroni seancën për ligjshmërinë e emërimit të prokurorit Dado

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ka drejtuar një letër organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të huaj, duke kërkuar monitorimin e një procesi gjyqësor që pritet të zhvillohet më 8 maj në Gjykatën Administrative të Tiranës.

Në letrën e tij, Veliaj thotë se seanca do të shqyrtojë ligjshmërinë e emërimit të prokurorit Ols Dado, i cili drejton hetimet në çështjen penale ndaj tij.

Ai u bën thirrje organizatave të marrin pjesë në proces dhe të kërkojnë transmetimin e drejtpërdrejtë të seancës, duke argumentuar se çështja ka rëndësi për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në Shqipëri.

Sipas Veliajt, ai ka nisur një sfidë ligjore ndaj emërimit të Dado-s në Prokurori në vitin 2008, me pretendimin se ky i fundit nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe nuk rezulton të jetë përjashtuar nga ky detyrim ligjor.

Në letër, Veliaj argumenton se, nëse këto pretendime provohen, emërimi i prokurorit do të konsiderohej juridikisht i pavlefshëm, duke ngritur pikëpyetje edhe mbi vlefshmërinë e veprimeve procedurale të ndërmarra prej tij në hetimin penal.

Kryebashkiaku pretendon se pala kundërshtare ka kërkuar rrëzimin e çështjes mbi baza procedurale, duke argumentuar mungesën e legjitimitetit të tij për ta ngritur këtë kërkesë.

Veliaj e cilëson rolin e prokurorit si një funksion me ndikim të gjerë mbi jetën dhe lirinë e qytetarëve, duke theksuar se kualifikimi dhe ligjshmëria e emërimit të prokurorëve janë elementë kyç për funksionimin e shtetit ligjor.

Në letër, ai rendit edhe pretendime mbi mënyrën e zhvillimit të hetimit ndaj tij, duke deklaruar se është përballur me masa të rënda kufizuese, kontroll mbi aksesin në prova dhe vështirësi në përgatitjen e mbrojtjes ligjore.

Sipas Veliajt, sfida ligjore nuk lidhet vetëm me çështjen e tij personale, por me nevojën për transparencë dhe përgjegjshmëri në procesin e emërimit dhe vetingut të prokurorëve në Shqipëri.

Ai përfundon letrën duke kërkuar që organizatat ndërkombëtare të ndjekin nga afër procesin gjyqësor dhe ta bëjnë çështjen të dukshme në nivel ndërkombëtar.

Zgjedhjet në PD/ Skualifikohen Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj, Sali Berisha mbetet kandidat i vetëm

Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj janë skualifikuar nga gara për kryesimin e Partisë Demokratike.

Raportohet se Sela dhe Mulaj nuk kanë përmbushur kriteret, përfundim i sjellë pas shqyrtimit të bërë nga KOKOE.

Me këtë lëvizje, kreu aktual i PD, Sali Berisha mbetet kandidati i vetëm në garë.

Meta reagon pas raportit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit: Trajtimi im çnjerëzor, si terrorist në kafazin “me 5 yje”

Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar duke falënderuar Komitetin Shqiptar të Helsinkit për një raport që sipas tij evidenton shkeljet e të drejtave të tij në qelinë e paraburgimit.

Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook Meta shprehet se konstatimet e KSHSH nuk flasin vetëm për që e quan persekutim politik ndaj tij, por edhe për një realitet tronditës që prek të gjithë të paraburgosurit në vend, përfshi edhe gardianët që punojnë në kushte skandaloze.

“Falenderoj Komitetin Shqiptar të Helsinkit për raportin profesional dhe të paanshëm, që konstaton shkeljet flagrante të të drejtave të mia themelore njerëzore dhe politike në paraburgim, i shndërruar nga Edi Rama në instrument ndëshkimi dhe persekutimi njerëzor dhe politik ndaj meje.

Këto konstatime të vërteta të KShH nuk flasin vetëm për standardet çnjerëzore të trajtimit tim në paraburgim, identike me standardet e rrëmbimit, hetimit dhe gjykimit tim si terrorist në kafazin “me 5 yje”, por për një realitet tronditës që prek të gjithë të paraburgosurit në vend, përfshi edhe gardianët që punojnë në kushte skandaloze.

Paraburgimi vlen vetëm në funksion të hetimit në raste ekstreme, kur është i domosdoshëm dhe për një kohë të kufizuar, por kurrë nuk mund të përdoret si instrument persekutimi njerëzor dhe politik, si dhe paracaktimi fajësie duke dhunuar procesin e rregullt ligjor dhe gjyqësor, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe barazinë e palëve në proces.

Respektimi i Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, i të drejtave themelore dhe dinjitetit njerëzor, i prezumimit të pafajësisë, i barazisë para ligjit dhe të palëve në proces, si dhe garantimi i transparencës para publikut nuk janë privilegje, por detyrime ligjore dhe standarde minimale të një shteti të së drejtës dhe demokratik.

Është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për zbatimin e rekomandimeve përgjithësuese të Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit për çdo person të privuar nga liria”, shkruan Meta.

Ndodh në mes të Tiranës/ Ndërtoi pa leje një banesë në tarracën e pallatit, arrestohet 57-vjeçari!

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në kryeqytet, pasi një 57-vjeçar ka ndërtuar banesë në tarracën e pallatit duke shfrytëzuar hapësirën e përbashkët.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Frederik Shiroka”, në Tiranë.

Njoftimi i policisë:

Ndërtoi pa leje, një objekt, duke shfrytëzuar të gjithë hapësirën e përbashkët, taracën e pallatit, vihet në pranga 57-vjeçari.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, bazuar në informacionet e marra se një shtetas kishte ndërtuar, pa leje, në rrugën “Frederik Shiroka”, kanë ushtruar kontroll në zonë.

Nga kontrollet u konstatua se shtetasi S. S., kishte ndërtuar pa leje, një objekt (banesë) në taracën e një kompleksi pallati.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 u arrestua në flagrancë shtetasi S. S., 57 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Rama: BE është bekim për Shqipërinë, por duhen më pak pengesa burokratike

Në një mbrëmje të pazakontë kulturore në Berlin, Kryeministri Edi Rama prezantoi 13 vizatime të tij në ambientet e Ambasadës së Italisë, në kuadër të një ngjarjeje të lidhur me ekspozitën e tij personale “Chrysalizing”, e cila po zhvillohet në Société Gallery.

Ekspozita përfshin gjithashtu skulptura të krijuara nga Rama, i cili prej vitesh njihet edhe për aktivitetin e tij artistik krahas politikës.

Gjatë eventit, ambasadori italian në Berlin, Fabrizio Bucci, zhvilloi një intervistë me kryeministrin, në një format jozyrtar që ndërthurte artin, kujtimet personale dhe politikën.

Në një intervistë për ANSA-n, Rama kujtoi edhe të kaluarën e tij si sportist dhe artist, duke thënë me ironi: “Jam artisti më i mirë në botë mes kryeministrave dhe kryeministri më i mirë mes artistëve”.

Duke u ndalur te temat politike, Rama foli për Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një proces të domosdoshëm për ndërtimin e institucioneve në vendet aspirante.

“Bashkimi Evropian është një bekim për ne. Procesi i tij është i ndërlikuar, ndoshta më neurotiku, por funksionon,” u shpreh ai.

Ai shtoi se pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, BE ka ndryshuar qasje: “Para luftës flitej drejt, por veprimet mungonin. Pas saj, u kuptua se vendet jashtë unionit mund të humben.”

Megjithatë, Rama kritikoi ritmin e ngadaltë të procesit evropian, duke theksuar se nevojitet më shumë shpejtësi dhe më pak pengesa burokratike.

Gjatë bisedës, Rama kujtoi edhe periudhën e tij si pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas si kryebashkiak i kryeqytetit, duke folur për transformimin urban dhe shoqëror të Shqipërisë.

Sipas tij, vendi ka kaluar nga një shoqëri e fokusuar kryesisht te mbijetesa, drejt një interesi më të madh për hapësirën publike dhe zhvillimin institucional.

Eventi u organizua në bashkëpunim me Société Gallery si pjesë e “Gallery Weekend Berlin”, ndërsa ambasada mbështeti edhe pjesëmarrjen e një bande marshuese nga Olevano Romano, e lidhur me një vepër të artistes gjermane Annika Kahrs, e ekspozuar në Hamburger Bahnhof.

Takimi special në burgun e Drenovës me Laert Haxhiun, reagon për herë të parë modelja e njohur!

Hetimet që po zhvillohen ndaj ish-zyrtarëve të burgut Drenovë në Korçë, të cilët lejuan futjen e modeles kosovare Ziza Pajaziti për takim special me të dënuarin me burg përjetë Laert Haxhiu, kanë nxjerë në dritë dhe një fakt domethënës.

Një muaj më parë, prokuroria e Korçës administroi në dosjen hetimore një dokument nga drejtoria e burgut të Drenovës, që tregonte se Ziza Pajaziti, ka qënë bashkëjetuese me Laert Haxhiun, gjatë kohës kur ai ka qënë jashtë ambjenteve të burgut.

Dokumenti është një deklaratë noteriale që ka vlerë juridike dhe është dorëzuar pak kohë më parë në Drejtorinë e Burgut Drenovë dhe më pas është administruar nga prokuroria e Korçës.

Përmes këtij dokumenti Ziza Pajaziti, ka prenduar se ka hyrë në burg si bashkëjetuese e Laert Haxhiut, gjë e cila ligjërisht është e lejueshme.

Ky fakt mund të sjellë në të ardhmen pushimin e çështjes penale ndaj ish-drejtorit të burgut Fatjon Fasho, dhe ish-shefit të policisë së këtij burgu, Sokol Kaçoli.

Ndërkohë vetë modelja kosovare, Ziza Pajaziti, e cila në 2025 u përfshi në skandalin e hyrjes së vajzave VIP në burgjet e sigurisë së lartë, prej më shumë se 1 viti nuk është arritur të gjendet nga policia dhe prokuroria e Korçës.

Ziza Pajaziti, ishte një ndër vajzat VIP, e cila në 12 qershor 2025 arriti të futet në burgun e sigurisë së Lartë, Drenovë, për të marë një takim special me Laert Haxhiun, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen në Lushnjë të Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës.

Në kuadër të këtij hetimi, prokuroria e Korçës prej gati 3 muaj ka kërkuar të marrë në pyetje modelen kosovare, Ziza Pajaziti, me qëllim sqarimin e rrethanave të futjes së saj në burg, si gruaja e të dënuarit përjetë Vladimir Kurti.

Por në fakt ajo ka zhvilluar takim me Laert Haxhiun.

Prokuroria e Korçës, që po ndjek rastin në fjalë ka kërkuar informacion Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbi vendndodhjen e adresës së banimit në Tiranë të Ziza Pajazitit me qëllim dërgimin e fletë-thirrjes, për tu paraqitur me qëllim marrjen në pyetje të saj.

Deri në këtë fazë, asnjë person nuk është marrë i pandehur për “Shpërdorim detyre” ndaj futjes në burgje të vajzave, të cilat marrin takime speciale me të dënuar me burgim të përjetshëm.

Kallëzimi që inicioi këtë çështje, është depozituar nga prokuroria e Korçës nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila kërkoi ndjekjen penalë për “Shpërdorim detyre” ndaj ish-drejtorit të burgut Drenovë, Fatjon Fasho, dhe ish-shefit të policisë së këtij burgu, Sokol Kaçoli./syri

Arresti në burg/ Gjykata e Lartë vendos të hënën për ndryshimin e praktikës

Gjykata e Lartë do të shprehet të hënën për njehësimin e praktikës gjyqësore sa i takon kushteve dhe kritereve për aplikimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Burime bëjnë me dije se të hënën në mesditë Kolegjet do të shprehen mbi kërkesën e Prokurorisë së Apelit Tiranë për rastin e Bektesh Zenelit, që u bë shkak për mbledhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë nëse do të ndryshojë ose jo vendimi njëhsues i vitit 2011, ku referohen aktualisht organet gjyqësore për caktimin e masës së arrestit.

Bashkë me vendimin pritet që në seancën publike të shpallet edhe vendimi mbi vendimmarrjen e Kolegjeve të Bashkuara, por nuk dihet si janë ndarë në vota 16 gjyqtarët pro dhe kundër. Që të miratohet ai vendim, duhet që shumica e gjyqtarëve të votojnë pro iniciativës së ndërmarrë nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

SPAK përfundon hetimet për 44-vjeçarin rus që do “hidhte në erë” aeroportin e Rinasit!

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka përfunduar hetimet ndaj një shtetasi rus, të akuzuar për kërcënimin e shpërthimit të një bombe në aeroportin e Rinasit.

Vladislav Urban, 44 vjeç, është marrë i pandehur për “kanosje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.

Sipas SPAK, në shkurt 2023 rusi ka dërguar një e-mail në adresën e Shefit Operacional të Rinasit, ku kërcënonte me shpërthimin e një bombe nëse qeveria Shqiptare nuk njeh Kosovën si Serbi, si edhe pretendonte te kishte marrë peng 2 shqiptare.

Nga hetimi i rastit rezultoi se emaili ishte dërguar nga rusi Urban, rezident në Selanik. Pas shkëmbimit të informacionit me palën greke dhe kontrollit, rezultoi se 44 vjeçari nuk kishte marrë njeri peng, ndërsa kishte edhe precedentë të mëparshëm në dërgimin emaile-ve kërcënuese.