... Nami.al

JPMorgan kundërpërgjigjet: Akuzat për ngacmim seksual ndaj Lorna Hajdinit, janë trillim

Gjiganti bankar amerikan JPMorgan Chase ka kundërshtuar zyrtarisht padinë e ngritur ndaj drejtueses së lartë Lorna Hajdini, duke deklaruar se akuzat për ngacmim seksual dhe abuzim racial janë të pabazuara dhe të fabrikuara.

Padia u ngrit nga një ish-punonjës i identifikuar si Chirayu Rana, i cili fillimisht përdori pseudonimin “John Doe”, duke pretenduar se Hajdini kishte ushtruar presion seksual, kishte përdorur fyerje racore dhe kishte përfshirë edhe përdorim të substancave ndaj stafit.

Pas depozitimit të padisë, JPMorgan nisi një hetim të brendshëm për të verifikuar akuzat. Sipas kompanisë, u shqyrtuan komunikime elektronike, përfshirë email-e dhe regjistra telefonikë të punonjësve, por nuk u gjet asnjë provë që të mbështeste pretendimet e Rana.

Në një deklaratë publike pas hetimit, banka tha se nuk sheh “asnjë bazë reale” në akuzat e ngritura.

Sipas kompanisë, ndërsa disa punonjës bashkëpunuan me hetimin, vetë paditësi refuzoi të marrë pjesë dhe nuk paraqiti elementë kyç që do të mbështesnin versionin e tij.

Raportime mediatike në SHBA pretendojnë gjithashtu se Rana nuk ka qenë drejtpërdrejt nën mbikëqyrjen e Hajdinit, ndryshe nga sa thuhej në padi, por thjesht koleg në të njëjtin ekip financiar.

Avokatët e Hajdinit kanë kundërshtuar fort akuzat, duke deklaruar se klientja e tyre nuk ka qenë kurrë në vendin ku pretendohet të ketë ndodhur sulmi seksual.

Ndërkohë, dokumentet gjyqësore janë tërhequr për korrigjime procedurale, ndërsa JPMorgan po shqyrton mundësinë e kërkimit të dëmshpërblimit për dëmtim reputacioni, duke argumentuar se çështja ka shkaktuar pasoja për imazhin dhe interesat e kompanisë.

Rasti mbetet nën shqyrtim dhe pritet të rikthehet në gjykatë pas riformulimit të dokumentacionit ligjor.