...
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ka drejtuar një letër organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të huaj, duke kërkuar monitorimin e një procesi gjyqësor që pritet të zhvillohet më 8 maj në Gjykatën Administrative të Tiranës.
Në letrën e tij, Veliaj thotë se seanca do të shqyrtojë ligjshmërinë e emërimit të prokurorit Ols Dado, i cili drejton hetimet në çështjen penale ndaj tij.
Ai u bën thirrje organizatave të marrin pjesë në proces dhe të kërkojnë transmetimin e drejtpërdrejtë të seancës, duke argumentuar se çështja ka rëndësi për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në Shqipëri.
Sipas Veliajt, ai ka nisur një sfidë ligjore ndaj emërimit të Dado-s në Prokurori në vitin 2008, me pretendimin se ky i fundit nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe nuk rezulton të jetë përjashtuar nga ky detyrim ligjor.
Në letër, Veliaj argumenton se, nëse këto pretendime provohen, emërimi i prokurorit do të konsiderohej juridikisht i pavlefshëm, duke ngritur pikëpyetje edhe mbi vlefshmërinë e veprimeve procedurale të ndërmarra prej tij në hetimin penal.
Kryebashkiaku pretendon se pala kundërshtare ka kërkuar rrëzimin e çështjes mbi baza procedurale, duke argumentuar mungesën e legjitimitetit të tij për ta ngritur këtë kërkesë.
Veliaj e cilëson rolin e prokurorit si një funksion me ndikim të gjerë mbi jetën dhe lirinë e qytetarëve, duke theksuar se kualifikimi dhe ligjshmëria e emërimit të prokurorëve janë elementë kyç për funksionimin e shtetit ligjor.
Në letër, ai rendit edhe pretendime mbi mënyrën e zhvillimit të hetimit ndaj tij, duke deklaruar se është përballur me masa të rënda kufizuese, kontroll mbi aksesin në prova dhe vështirësi në përgatitjen e mbrojtjes ligjore.
Sipas Veliajt, sfida ligjore nuk lidhet vetëm me çështjen e tij personale, por me nevojën për transparencë dhe përgjegjshmëri në procesin e emërimit dhe vetingut të prokurorëve në Shqipëri.
Ai përfundon letrën duke kërkuar që organizatat ndërkombëtare të ndjekin nga afër procesin gjyqësor dhe ta bëjnë çështjen të dukshme në nivel ndërkombëtar.