...
Një 46-vjeçare ka humbur jetën në Itali pasi dyshohet se është dhunuar nga bashkëshorti i saj, 42-vjeçar me origjinë shqiptare.
Sipas mediave italiane 42-vjeçari është ndaluar në portin e Barit teksa dyshohet se po përpiqej të largohej drejt Shqipërisë. Viktima është identifikuar si Ornella Forastefano. Trupi i saj u gjet gjatë natës jashtë urgjencës së spitalit në Trebisacce të Italisë. Mjekët ndërhynë menjëherë për ta shpëtuar, por plagët e rënda dhe dëmtimet e shumta që kishte pësuar rezultuan fatale.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00. Sipas të dhënave paraprake, gruaja kishte dëmtime të rënda në pjesë të ndryshme të trupit, çka ka bërë që hetuesit të dyshojnë se ajo ishte dhunuar. Pas gjetjes së 46-vjeçares, hetimet u përqendruan te partneri i saj, i cili ishte larguar dhe nuk gjendej në banesë. 42-vjeçari u lokalizua më pas në portin e Barit, ku dyshohet se ishte gati të hipte në një traget me destinacion Shqipërinë.
Burri, i cili njihej më herët nga autoritetet për vepra penale që lidhen me lëndët narkotike, po merret në pyetje nga hetuesit. Ata po përpiqen të rindërtojnë dinamikën e ngjarjes dhe të përcaktojnë nëse ai ka përgjegjësi për vdekjen e 46-vjeçares. Sipas autoriteteve, çifti jetonte së bashku prej rreth një viti.
Ende nuk është e qartë nëse 46-vjeçarja u dërgua në spital nga partneri i saj. 46-vjeçarja u la jashtë hyrjes së urgjencës dhe u gjet nga mjekët.
Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Castrovillarit, e cila po shqyrton të gjitha pistat për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Ornella Forastefano menaxhonte një bar në qendër të Trebisacces së bashku me dy fëmijët e saj.