... Nami.al

“Kjo është mënyra për të bërë shumë para”, detaje tronditëse nga abuzimi i 13-vjeçares nga Shkodra: U gjet në një parukeri

Detaje të reja janë zbuluar lidhur me rastin e abuzimit seksual ndaj një 13-vjeçareje nga Shkodra.

Gazetarja Glidona Daci ka treguar në “Opinion” lëvizjet e të miturës në disa qytete të Shqipërisë, kontaktet që kishte krijuar përmes Snapchat-it dhe personat që janë vënë nën hetim.

Sipas gazetares, vajza është larguar nga Shkodra dhe ka udhëtuar drejt Fierit, më pas në Gjirokastër dhe Tiranë, ku ka frekuentuar edhe hotele. Denoncimi është bërë nga nëna e saj, ndërsa identifikimi i një personi me të cilin e mitura kishte pasur kontakte ka ndihmuar policinë të zbulojë vendndodhjen e saj.

“Është identifikuar kontakti në Shkodër, një taksist, ku ky i fundit ka treguar se ku e ka lënë në Fier. Më pas, janë siguruar disa të dhëna, disa komisariate u vunë në lëvizje dhe vajza është gjetur në një parukeri”, tregoi ajo.
Gazetarja bëri të ditur se gjatë marrjes në pyetje, 13-vjeçarja ka deklaruar se kishte qenë edhe në Durrës, Vlorë dhe Burrel. Ajo dyshohet se ka kryer veprime seksuale me dy shtetas, ndërsa ndaj njërit prej tyre është ngritur akuza për marrëdhënie seksuale me të mitura.

Në total, shtatë persona janë nën hetim për këtë rast. Sipas gazetares Daci, kontaktet me personat e tjerë janë krijuar përmes Snapchat-it, ndërsa e mitura kishte përdorur edhe mënyra për t’iu shmangur lokalizimit nga policia, duke fikur telefonin.

Një nga deklaratat më tronditëse të së miturës, sipas gazetares, është fakti se ajo ka thënë përpara uniformave blu, se kjo ishte mënyra sesi mund të fitonte para.

“Vajza ka thënë se kjo është mënyrë për të bërë shumë para”, u shpreh gazetarja.
Ajo shtoi se 13-vjeçarja ishte larguar edhe më herët nga banesa, por në atë rast ishte identifikuar shpejt dhe ishte gjetur në Shkodër.

Ndërkohë, u bë e ditur se babai i të miturës ndodhet në burg në Malin e Zi, ku vuan dënimin për trafik droge.