Një debat i ashpër është zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë mes kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në qendër të përplasjes ishin akuzat për pasurinë.
Shehaj akuzoi Ballën se ka përfituar pasuri pa punuar, ndërsa tha se biznesmeni Ylli Ujkaj, që sipas BIRN ka financuar Partinë Socialiste në diasporë dhe më pas ka përfituar leje për ndërtimin e kullave në kryeqytet, ka çuar ortakun e tij italian për t’i bërë kallëzim penal Shehajt.
Kreu i Mundësia iu drejtua drejtpërdrejt Ballës, duke e akuzuar se po përpiqet t’i mbyllë gojën përmes padive.
“Ky zotëria Ylli Ujkaj që ka dalë në foto me kryeministrin ka paguar turin e Ballës nëpër Europë. Ky të ka financuar. Pasi dha para për PS-në në diasporë, i keni dhënë leje për kulla. Tani ti merr ortakun italian të Ylli Ujkës dhe e sjell në Shqipëri që të më bëjë kallëzim penal? Duan të më mbyllin gojën me hajdutët e tyre, por nuk ma mbyllni dot gojën. Ti një padi, Taulant, unë dy. Kurse atë italianin, do ta kallëzoj atje në Itali unë, e të shohim kush fiton këtu”, deklaroi Shehaj.
Nga ana tjetër, Taulant Balla i hodhi poshtë akuzat.
“Paditë unë i bëj me emrin tim. Sali Berishën unë e kam kallëzuar me emrin tim. 173 kallëzime kam bërë në gjithë këto vite në politikë, jo me emra falsë. Nuk kam frikë unë, o Agron, këtë gjë ta dish”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së kundërshtoi edhe akuzat se disponon një apartament prej 500 metrash katrorë në një kullë në Tiranë, duke deklaruar se do të largohej nga detyra, nëse kjo do të ishte e vërtetë.
