Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi u është përgjigjur menjëherë socialistëve që duan ta përjashtojnë për 60 ditë nga salla e seancës plenare dhe punimet në komisione, për shkak të episodeve në mesnatë gjatë votimit të Reformës Territoriale.
“Jo 60 ditë, por bëjini 4 vjet! Shkelni rregulloret dhe Kushtetutën! Bëni gjithçka që keni në dorë. Prapëseprapë, frikën e Edi Ramës nuk keni për ta zhdukur dot”, shkruan Bardhi.
Kreu i Grupit të PD që akuzohet se ka qëlluar me shishe ujë në drejt të kryeministrit dhe ka hedhur ujë drejt Belinda Ballukut, thotë se Edi Rama me votën e Ballukut, shkatërroi jetën e qytetarëve duke fshirë nga harta 15 bashki.
“Edi Rama është i vetmi kryeministër që ka nevojë për votën e një personi të akuzuar për korrupsion, si Belinda Balluku, për të shkatërruar jetën e qytetarëve dhe për të fshirë nga harta 15 bashki.
Është i vetmi kryeministër në botë që shkon në Kuvend për të votuar, i rrethuar nga 40 efektivë të Gardës së Republikës. Sepse ai e di më mirë se kushdo se llogaritë nuk i ka me deputetët e opozitës, por me qytetarët, të cilët i ka braktisur dhe i ka dhunuar prej 13 vitesh”, përmbyll Gaz Bardhi.
