... Nami.al

Nga 61 bashki Shqipëria bëhet me 46! Ja të gjitha ndryshimet, cilat shkrihen dhe me cilat bashkohen

Pas mesnate u votua ligji i ri për Hartën e re Territoriale, ku pas shumë polemikash, kundërshtish dhe debatesh, 85 deputetë votuan pro. Por me çfarë konsiston kjo hartë e re Territoriale?

28 Bashki konsolidohen në 13 bashki të reja duke bërë që struktura e re të përbëhet në total nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative.

Modeli i propozuar ruan Bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm. 13 Bashki me një popullsi të përgjithshme prej rreth 225 mijë banorësh, bashkohen me bashkitë fqinje.

Në Qarkun Tiranë, kryeqyteti mbetet i pandryshuar, por dy bashkitë e tjera Kavaja dhe Rrogozhina bashkohen në një të vetme. Ligji krijon gjithashtu një njësi të re administrative, Rinasin, e cila përfshihet në Bashkinë e Tiranës, si pjesë e kryeqytetit.

Ajo formohet nga fshatrat Rinas (Bashkia Krujë) dhe Bërxullë e Domje (Bashkia Vorë), duke bashkuar në një njësi të vetme territorin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe zonën ekonomike rreth tij.

Qarku Lezhë gjithashtu mbetet i pa ndryshuar ndërsa në Shkodër, Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën. Ndryshime ka edhe në qarkun e Beratit. Nga 5 Bashki bëhet me tre, ku Berati bashkohet me Poliçanin dhe Dimalin, ndërsa Kuçova dhe Skrapari mbeten bashki më vete.

Elbasani gjithashtu reduktohet në numër Bashkisë. Krahas bashkimit të Përrenjasit me Librazhdit që ngjalli revoltën e banorëve vendas, vetë Elbasani pritet të bëhet një bashki e madhe duke përthithur Belshin dhe Cërrikun, ndërsa Peqini dhe Gramshi mbeten njësi më vete.

Qarku Fier gjithashtu pëson ndryshime, ku rritet edhe më shumë duke u shkrirë më Patosin, ndërsa Lushnja merr dalje në det duke marrë Divjakën.

Në qarkun Dibër, Klosi bashkohet me Matin. Qarku Gjirokastër ka ndryshime më të mëdha ku Tepelena bashkohet me Memaliajn, Përmeti me Këlcyrën ndërsa vetë Gjirokastra merr me vete Bashkinë e Libohovës.

Vlora merr edhe një pjesë të Labërisë duke u bashkuar me Selenicën. Pavarësisht kundërshtive, në juglindje socialistët janë të mendimit që Maliqi të bashkohet me Korçën. Qarku Kukës, si njësia më e vogël në vend, mbetet i pa ndryshuar me tre bashki, Kukës, Has dhe Tropojë.

Modeli i organizimit merr në konsideratë largësitë e skajshme, praninë e minoriteteve, vijueshmërinë gjeografike, aksesin rrugor dhe veçoritë identitare të territoreve.

Për këtë arsye, bashki si Pusteci, Finiqi, Dropulli, Tropoja, Hasi, Skrapari apo Konispoli ruhen dhe trajtohen si raste të veçanta, pavarësisht treguesve të tyre financiarë dhe demografikë.