Parlamenti i Hungarisë ka votuar të hënën për heqjen e imunitetit parlamentar të kryeministrit Péter Magyar dhe dy ish-ministrave të qeverive të Viktor Orbán, duke u hapur rrugë hetimeve të ndara penale ndaj tyre.
Vendimi vjen në një moment të rëndësishëm politik për Hungarinë, pasi qeveria e drejtuar nga Magyar ka premtuar hetimin e rasteve të dyshuara të korrupsionit dhe abuzimit me detyrën gjatë 16 viteve të qeverisjes së Orbán.
Në rastin e kryeministrit Magyar, prokurorët pretendojnë se ai, në vitin 2024, i mori telefonin një personi që po e filmonte në një klub nate dhe më pas e hodhi pajisjen në lumin Danub. Magyar i ka mohuar akuzat dhe e ka cilësuar çështjen si një përpjekje për dëmtimin e tij politik.
Vetë kryeministri kishte kërkuar që t’i hiqej imuniteti parlamentar, duke deklaruar se dëshironte të përballej drejtpërdrejt me akuzat dhe t’i jepte fund asaj që ai e ka përshkruar si një fushatë për “vrasje të karakterit”. Parlamenti votoi gjithashtu për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të kulturës Balázs Hankó dhe ish-ministrit të zhvillimit kombëtar Miklós Seszták.
Hankó, aktualisht deputet i Fidesz-it, dyshohet nga prokurorët për përvetësimin e më shumë se 40 milionë eurove nga fondet publike. Sipas pretendimeve të prokurorisë, një pjesë e parave mund të jetë përdorur për financimin e fushatës zgjedhore parlamentare të vitit 2026 dhe për përfitime personale të personave të tjerë. Hankó i mohon akuzat.
Në korrik, autoritetet sekuestruan serverët e partisë Fidesz në kuadër të hetimit. Viktor Orbán e ka kundërshtuar procesin, duke e akuzuar autoritetet për një hetim të motivuar politikisht që synon të dëmtojë partinë e tij. Ndërkohë, ish-ministri Miklós Seszták, anëtar i partisë aleate të Fidesz-it, KDNP, po hetohet për dyshime se ka pranuar ryshfete me vlerë miliona dollarë gjatë kohës që ishte ministër i zhvillimit kombëtar, nga viti 2014 deri në vitin 2018.
Hetimi lidhet me blerjen e autobusëve të përdorur, për të cilët prokurorët dyshojnë se janë blerë me çmime të fryra. Seszták mohon çdo shkelje të ligjit. Mediat shkruajnë se partitë Fidesz dhe KDNP bojkotuan seancën parlamentare gjatë së cilës u zhvillua votimi.
Heqja e imunitetit u bë pas kërkesës së prokurorëve, të cilët javën e kaluar kërkuan që të mund të vijonin procedurat hetimore ndaj tre politikanëve. Çështjet shënojnë një zhvillim të rëndësishëm në përballjen politike dhe institucionale në Hungari, ndërsa qeveria e re e Magyarit ka premtuar hetimin e rasteve të dyshuara të korrupsionit të lidhura me periudhën e gjatë të qeverisjes së Viktor Orbán.
