Shqipëria do të përballet me San Marinon të martën, në kuadër të Nations League.
Tekniku i kombëtares, Maran bëri vlerësimin e tij në konferencë për shtyp para takimit ndaj San Marinos.
“Duhet të përballemi me qasjen e duhur, në ndeshje të tilla. Këto ndeshje ndihmojnë për të ndërtuar mentalitetin e një skuadre. Duhet ta marrim me qetësi këtë ndeshje. Duhet shumë respekt për San Marinon. Kjo na jep mundësi për të marrë masat e duhura për situatat që mund të ndodhin gjashtë ndeshjes.
E rëndësishme është të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme dhe të tregojmë ato që kemi përgatitur. Duhen lexuar situata. Duhen bërë zgjedhjet më të mira, në varësi si do të luajë kundërshtari.
E rëndësishme për një skuadër është mentaliteti. Ne duhet të futemi në fushë, për të bërë atë që dimë dhe duhet të bëjmë. Nuk duhet të kënaqemi me disa elementë. Duhet të merret çdo gjë seriozisht.
Për formacionin e kam një ide se cila 11-she do të luajë. Megjithatë kemi 24 orë kohë nga ndeshja. Jam i bindur se të gjithë lojtarët do të jenë të gatshëm për të hyrë në fushë dhe për të bërë maksimumin. Do të ishte mungesë respekte që lojtarët ta dinin formacionin nga media. As ata nuk e dinë ende.
Është diçka ndryshe, sepse ndodh për herë të parë që luhen katër ndeshje radhazi. Kur bëra listën, mora parasysh kushtet fizike dhe karakteristikat. Mund të ketë ndryshime, por jo në fizionomi. Jam i bindur se kushdo që të luajë, do të japë më të mirën. Mund të ketë ndonjë ndryshim, por jo në fizionominë e skuadrës.”
Në konferencën për shtyp foli edhe kapiteni Berat Gjimshiti që u shpreh se nuk duhet nënvlerësuar kundërshtari, pavarësisht nivelit.
“Përqendrimi duhet të jetë në çdo ndeshje 100 përqind. Nuk duhet të konsiderojmë asnjë kundërshtar të lehtë, por duhet të japim maksimumin. Kishim një periudhë jo të mirë, por se besoj se kthesa për ne ishte që me sfidën ndaj Bjellorusisë, ku arritëm të fitojmë 2:0. Ne duam vendin e parë në grup dhe për këtë synim luftojmë.
Duhet të hyjmë në fushën e blertë me mentalitetin e duhur, besoj se do ia dalim të gjithë bashkë. Edhe ata që vijnë nga pankina janë shumë të rëndësishëm nesër”, tha Gjimshiti.
