Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mbledh sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Mbledhja është parashikuar të zhvillohet në orën 08:30.
Takimi zhvillohet pas hetimit ndaj ish-drejtoreshës së institucionit, Vlora Hyseni, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Në fokus të diskutimeve pritet të jenë situata e sigurisë kombëtare dhe siguria e informacionit të klasifikuar.
Ligji përcakton qartë se cilët janë anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i cili përbëhet nga titullarët e 13 institucioneve dhe kryesohet nga Presidenti i Republikës.
Rama e bëri të qartë se Hyseni do ta ketë e vetme përballjen me drejtësinë, por e cilësoi masën ndaj saj ekstreme, duke argumentuar se SHISH u ekspozua ndaj një dëmi të madh që, sipas tij duhej të ishte parandaluar.
Në mbledhje do të marrë pjesë edhe drejtuesi i komanduar i SHISH-it, Elvis Lila, i cili do ta drejtojë institucionin deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri. Rama ka deklaruar se për emrin e ri në krye të SHISH-it do të vendoset në konsultim me Presidentin.
ANËTARËT E KËSHILLIT TË SIGURIMIT
Këshilli i Sigurimit Kombëtar kryesohet nga Presidenti i Republikës.
1. Kuvendi – Kryetari Niko Peleshi
2. Këshilli i Ministrave – Kryeministri Edi Rama
3. Ministria e Mbrojtjes, Ermal Nufi
4. Ministria përgjegjëse për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha
5. Ministria e Drejtësisë; Toni Gogu
6. Ministria përgjegjëse për Punët e Brendshme; Ervin Demo
7. Ministria përgjegjëse për Financat; Petrit Malaj
8. Ministria përgjegjëse për Transportin; Enea Karakaçi
9. Ministria përgjegjëse për Energjinë; Enea Karakaçi
10. Komisioni i përhershëm parlamentar përgjegjës për sigurinë dhe mbrojtjen – kryetari i tij; Bledar Çuçi,
11. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura – Shefi i Shtabit; Arben Kingji
12. Shërbimi Informativ i Shtetit – Drejtori; Elvis Lila
13. Policia e Shtetit – Drejtori i Përgjithshëm. Skënder Hitaj
