...
Policia e Tiranës dhe Komisariati nr. 5 kanë arrestuar njërin prej autorëve të dyshuar të grabitjes me armë zjarri në argjendarinë ‘Luani’ në Paskuqan. Në pranga ka rënë Argys Kalsi.
Burime bëjnë me dije se autori i dyshuar është arrestuar në Qafë Thanë teksa po mundohej të largohej nga vendi.
Në momentin që ai ka tentuar të kalojë kufirin, Kalsi ështe arrestuar menjëherë nga blutë.
Në fakt, policia prej disa ditësh e kishte identifikuar të riun si autor i ngjarjes, por nuk e kishte arrestuar pasi e kishin ndjekur dhe përgjuar në mënyrë që të arrestojnë dhe autorin e dytë, për të cilin po punohet për identifikimin e tij.
Kamëz/Vijojnë veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes së një sasie bizhuterish në një argjendari në Kamëz, më datë 05.08.2026.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga njëri prej autorëve të dyshuar.
Sekuestrohen gjatë periudhës së hetimit arma e zjarrit automatik, motomjeti, veshjet, maska silikoni dhe një krehër me fishek.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, si rezultat i punës intensive hetimore dhe procedurale, të kryer për disa javë, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, kanë finalizuar operacionin e koduar “Gold”, duke bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit:
-A. K., 35 vjeç, banues në Laç.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, më datë 05.08.2026, kanë vjedhur një sasi bizhuterish në një argjendari dhe më pas janë larguar me një motomjet.
Në vijim të veprimeve të pandërprera hetimore dhe kërkimeve intensive në terren, më datë 06.08.2026, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Zgafnur, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri automatike, një krehër me fishekë, një skafandër motoçiklete e lyer me ngjyrë gri, dy maska silikoni, një palë doreza, si dhe veshje të tjera që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprës penale.
Gjithashtu, më datë 09.08.2026, në vendin e quajtur “Liqeni i Qinamit”, fshati Qinam, u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një motomjet i cili dyshohet se është përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprës penale.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, si dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.