...
Shqiptarët kanë hasur rezultate dukshëm më të ashpra në sistemin britanik të vizave krahasuar me shtetasit e tjerë të Ballkanit Perëndimor, edhe pse flukset e emigracionit të parregullt nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar janë tkurrur ndjeshëm pas kulmit të vitit 2022.
Kjo është një prej gjetjeve kryesore të raportit “Asylum and Visa Applications from Albania: United Kingdom Trends and Insights”, hartuar nga Said Morina Beka dhe Uran Ferizi, i cili analizon të dhënat e Home Office dhe Oxford Migration Observatory për periudhën 2018-2025.
Raporti është pjesë e një serie kërkimore të Ambasadës së Shqipërisë në Londër, por autorët sqarojnë se analiza është e pavarur dhe nuk përfaqëson domosdoshmërish qëndrimin zyrtar të Ambasadës apo Qeverisë shqiptare.
Në tetë vjet, shtetasit shqiptarë paraqitën më shumë se 211 mijë aplikime për viza britanike, më shumë se gjysma e të gjitha aplikimeve nga Ballkani Perëndimor. Vetëm 65.5 për qind e aplikimeve shqiptare rezultuan në dhënien e vizës, kundrejt rreth 90 për qind për pesë vendet e tjera të rajonit.
Hendeku bëhet edhe më i dukshëm në krahasimin mes vendeve: norma e miratimit varion nga 74 për qind për Kosovën deri në 95 për qind për Serbinë.
Edhe shifrat e refuzimeve tregojnë të njëjtën diferencë. Në periudhën 2018-2025, 34.5 për qind e aplikimeve shqiptare nuk u miratuan, krahasuar me 10.4 për qind për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria regjistroi rreth 73 mijë refuzime, ndërsa pesë vendet e tjera së bashku rreth 21 mijë, pavarësisht se numri i përgjithshëm i aplikimeve ishte i ngjashëm: 211 mijë nga Shqipëria kundrejt 201 mijë nga vendet e tjera.
Raporti e përmbledh këtë kontrast me formulimin “Vend i sigurt, vizë e vështirë”, duke vendosur përballë trajtimin e Shqipërisë si një vend i sigurt me rezultatet dukshëm më të rrepta të aplikantëve shqiptarë në sistemin britanik të vizave.
Autorët bëjnë edhe një përllogaritje domethënëse: nëse aplikimet shqiptare do të ishin refuzuar me të njëjtën normë si ato të pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, rreth 51 mijë nga 73 mijë refuzimet nuk do të kishin ndodhur.
Ata paralajmërojnë, megjithatë, se ky është një ilustrim aritmetik dhe jo një përfundim se aplikantët shqiptarë dhe ata të vendeve të tjera ishin në kushte identike.
Të dhënat e publikuara nuk japin informacion mbi cilësinë dhe qëllimin e aplikimit apo historikun e aplikantëve. Sipas raportit, për përmasat e diferencës nuk ekziston aktualisht një shpjegim i publikuar.
Situata është përmirësuar vitet e fundit. Norma e miratimit për shqiptarët u rrit nga 65 për qind në vitin 2024 në 76 për qind në 2025, niveli më i lartë i periudhës së analizuar.
Megjithatë, hendeku me pesë vendet e tjera mbeti në 14 pikë përqindjeje, ndërsa norma e tyre e përbashkët qëndroi pranë 90 për qind.
Kjo panoramë vendoset nga autorët përballë rënies drastike të emigracionit të parregullt. Në vitin 2022 u evidentuan 12 mijë e 658 shqiptarë që mbërritën me gomone, ndërsa në vitin 2025 numri ra në vetëm 255, më pak edhe se 815 rastet e regjistruara në vitin 2021.
Edhe kërkesat shqiptare për azil ranë nga mbi 17 mijë në vitin 2022 në 1 mijë e 816 në 2025. Autorët e konsiderojnë valën e vitit 2022 një episod të jashtëzakonshëm dhe jetëshkurtër dhe jo një ndryshim të përhershëm të emigracionit shqiptar drejt Britanisë.
Raporti ngre, megjithatë, një pikëpyetje për marrëdhënien mes rrugëve të ligjshme dhe atyre të parregullta. Sipas tij, normat vazhdimisht të ulëta të miratimit të vizave mund të kenë ushqyer perceptimin se rrugët e rregullta drejt Britanisë ishin praktikisht të mbyllura, veçanërisht për të rinjtë.
Të dhënat mbështesin ekzistencën e një lidhjeje mes qasjes së kufizuar në rrugët ligjore dhe emigrimit të parregullt, por autorët janë të kujdesshëm: ato nuk provojnë se refuzimet e vizave shkaktuan emigracionin e parregullt.
Në përfundim, raporti thekson se shumica e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë, studiojnë dhe punojnë ligjërisht.
Vala e vitit 2022, sipas autorëve, ishte rezultat i një kombinimi të kushteve ekonomike, rrjeteve të emigracionit, përgjigjeve politike dhe mundësive të migrimit të krijuara në atë periudhë, dhe jo një tipar i qëndrueshëm i emigracionit shqiptar drejt Britanisë.