...
Një stuhi e fortë ka përfshirë pasditen e së premtes qytetin e Pogradecit, duke sjellë reshje të dendura shiu dhe përmbytje në disa prej akseve kryesore të qytetit.
Pas një periudhe me temperatura të larta dhe mot të thatë, ndryshimi i menjëhershëm i kushteve atmosferike ka shkaktuar grumbullim të konsiderueshëm uji në rrugë dhe hapësira publike.
Problematika është raportuar veçanërisht në rrugën “Dëshmorët e Pojskës” dhe përgjatë shëtitores së qytetit, ku uji ka mbuluar pjesë të rrugës dhe hapësirat e kalimit për këmbësorët.
Reshjet intensive kanë vënë në vështirësi sistemin e kullimit, ndërsa niveli i ujit është rritur brenda një kohe të shkurtër në disa zona.
Pamjet e siguruara në terren tregojnë qytetarë që përpiqen të kalojnë përmes ujit, ndërsa në disa raste këmbësorët janë detyruar të heqin këpucët për të vijuar lëvizjen. Edhe lëvizja me biçikleta është vështirësuar për shkak të ujit të grumbulluar në rrugë.
Ndryshimi i motit në Pogradec vjen pas javësh me temperatura të larta në vend dhe një periudhe të zgjatur të thatë, gjatë së cilës janë regjistruar edhe vatra zjarri në disa qarqe të Shqipërisë.
Sipas informacioneve, mot me stuhi, rrebeshi shiu dhe përmbytje ka pasur edhe në Sarandë e Ksamil.