... Nami.al

Përkeqësohet situata nga zjarri në Mallakastër! Evakuohen 15 familje

Zjarri në masivin pyjor të fshatit Rriban, në Mallakastër, vijon të mbetet aktiv, ndërsa forcat në terren po punojnë për izolimin e flakëve.

Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe pyjore, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve është vështirësuar për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së rrugëve të aksesueshme.

Ekipet zjarrfikëse po punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit, por terreni i vështirë nuk favorizon ndërhyrjen nga toka. Për shuarjen e flakëve janë vënë në dispozicion dhe helikopterë.

Për shkak të erërave të forta, vatra e zjarrit ka marrë përmasa të mëdha duke përfshirë dhe kurorat me pisha duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të vatrës.

Përmes një njoftimi, Policia e Fierit bën me dije se ka evakuuar 15 familje, si dhe bagëtitë e kafshët shtëpiake të tyre.

Në operacion janë angazhuar forcat e Policisë, zjarrfikësit, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e emergjencave civile, si dhe një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes dhe një avion Canadair për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit dhe identifikimin e autorëve nëse konstatohet zjarrvënie e qëllimshme.

Policia u bën apel qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të denoncojnë çdo rast të dyshuar në numrin 112.

Njoftimi i bluve:

Policia e Fierit në ndihmë të banorëve të fshatit Riban, Mallakastër, të përfshirë nga një zjarr masiv.

Shërbimet e Policisë evakuuan 15 familje, si dhe bagëtitë dhe kafshët e tyre shtëpiake, ndërsa vijojnë kontrollet dhe angazhimi në të gjithë territorin e prekur nga flakët.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shërbimet zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e emergjencave civile, me mbështetjen nga ajri të një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një avioni Canadair, janë angazhuar maksimalisht që në orët e para të mëngjesit në fshatin Riban, ku një zjarr masiv ka përfshirë sipërfaqe të mëdha toke, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bimësi.

Për shkak të përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara, shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë për evakuimin e 15 familjeve, si dhe të bagëtive dhe kafshëve të tyre shtëpiake, me qëllim garantimin e sigurisë së jetës dhe të pronës së banorëve.

Aktualisht, shërbimet e Policisë vijojnë të jenë të angazhuara në terren, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e tjera përgjegjëse, me mbështetjen nga ajri të një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një avioni Canadair, për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, si dhe për ofrimin e ndihmës ndaj banorëve të zonës.

Njëkohësisht, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit, dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit, nëse zjarri rezulton të jetë shkaktuar nga veprime të kundërligjshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon ndaj të gjithë qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për çdo qëllim tjetër, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.

Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar anonimat, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.