...
Qendrat e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin janë vendosur në qendër të propozimit të ri të kryeministres italiane Giorgia Meloni për menaxhimin e emigracionit në Bashkimin Evropian, pas krizës së fundit në enklavën spanjolle të Ceutës.
Sipas mediave italiane, Italia do të paraqesë në mbledhjen e ministrave të Brendshëm të BE-së, që zhvillohet të martën, një plan për ngritjen e qendrave të riatdhesimit sipas modelit të zbatuar në Shqipëri. Ndryshe nga marrëveshja dypalëshe mes Romës dhe Tiranës, Meloni propozon që financimi i këtyre strukturave të mbulohet kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe jo vetëm nga Italia si në rastin qendrave shqiptare.
Qendrat e ngritura në Gjadër dhe Shëngjin janë pjesë e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e emigrantëve të paligjshëm të kapur në ujërat ndërkombëtare. Megjithatë, funksionimi i tyre është përballur me pengesa ligjore, pasi zbatimi i marrëveshjes është bllokuar në disa raste nga gjykatat italiane.
Pavarësisht këtyre vështirësive, qeveria italiane e konsideron modelin shqiptar një bazë të vlefshme për ndërtimin e një sistemi evropian të menaxhimit të emigracionit. Sipas raportimeve, Meloni beson se propozimi gëzon mbështetje të gjerë mes vendeve anëtare të BE-së.
Si argument për këtë, ajo i referohet një letre të nënshkruar nga 22 liderë të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, e promovuar nga Italia. “Pamjet nga Ceuta treguan sa urgjente është një përgjigje evropiane”, citohet të ketë deklaruar Meloni, duke shtuar se mbështetja në rritje për këtë qasje tregon se linja italiane po fiton gjithnjë e më shumë përkrahje.
Propozimi vjen pas valës së emigrantëve që goditi Ceutën, ku sipas raportimeve rreth 60 mijë persona, kryesisht nga Maroku, kaluan kufirin drejt territorit spanjoll. Kriza ka nxitur debat të fortë brenda Bashkimit Evropian mbi nevojën për mekanizma të rinj dhe të përbashkët për kontrollin e emigracionit dhe riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm.
Një mbledhje urgjente e BE-së pritet të martën lidhur me problematikat.