...
Policia greke thotë se ka arrestuar një 26-vjeçar, i cili dyshohet se ka vrarë një shtetase skoceze, trupi i të cilës u gjet brenda një valixhe në një ndërtesë të braktisur në Athinë.
Viktima është identifikuar si Elisabeth-Jane Ross, 38 vjeçe, e njohur nga familjarët e saj si Lisa. Trupi i saj u gjet më 18 korrik në zonën e Kypselit, në Athinë, disa ditë pasi ishte raportuar e zhdukur.
Sipas policisë greke, hetimi u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet në SHBA, Britani të Madhe dhe Skoci.
Pas analizimit të provave dhe pamjeve filmike, hetuesit identifikuan një 26-vjeçar si person të lidhur me ngjarjen. Mediat britanike raportojnë se i dyshuari është me origjinë nga Afganistani.
Policia bëri të ditur se i riu u shoqërua në selinë qendrore të policisë të enjten, ku “pranoi veprimet e tij”.
Ai është arrestuar nën dyshimet për vrasje, grabitje dhe shkelje të ligjeve për armët, ndërsa akuzat përfundimtare do të përcaktohen sipas procedurave të sistemit ligjor grek.
Sipas hetuesve, Ross kishte mbërritur në Greqi më 26 qershor dhe kishte qëndruar në zonën e Pireut deri më 10 korrik, kur ishte larguar drejt një destinacioni të panjohur në rajonin e Atikës.
Autoritetet greke dyshojnë se i arrestuari ka transportuar trupin e saj në vendin ku u gjet, duke përdorur një valixhe, dhe më pas ka përdorur kartat bankare të viktimës për të tërhequr para.