... Nami.al

Arrestohet në Durrës i shumëkërkuari i drejtësisë italiane

Është vënë në pranga nga Operacinalja dhe blutë e Durrësit, 50-vjeçari shqiptar i identifikuar si Gentian Lika i lindur në Kavajë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

Blutë bëjnë me dije se Lika rezulton të jetë i dënuar nga drejtësia e shtetit fqinj me 6 vite burg pasi akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike.

Sakaq thuhet se arrestimi i shqiptarit u finalizua falë bashkëpunimit të kryer mes Forcës së Posaçme Operacionale dhe bluve të Durrësit.

Ndërsa bëhet me dije se kanë nisur procedurat për finalizimin e ekstradimit të tij në drejtim të Italisë.

“Policia e Shtetit

Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “FAST”.

Kapet në Durrës dhe ndalohet me qëllim ekstradimi një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dënuar me 6 vjet burgim për trafikim të narkotikëve.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin FAST Albania, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, si rezultat i veprimeve të mirëorganizuara policore, bënë të mundur lokalizimin, identifikimin dhe ndalimin, me qëllim ekstradimin, të shtetasit G. L., 50 vjeç, lindur në Kavajë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Romës, Itali, me vendim të muajit mars 2025, e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë”, njofton policia.