... Nami.al

Dita e 63-të e protestës/ Aktivistët kundër shkrirjeve të bashkive: Po shesin Shqipërinë për interesat e tyre

Ka nisur në Tiranë protesta e 63-të radhazi kundër qeverisë “Rama”, si dhe klasës drejtuese politike.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, nga ku nisën marshimin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u stacionuar më pas përpara godinës së Kryeministrisë, ku edhe po mbahen fjalimet e radhës nga organizatorët dhe pjesëmarrësit.

Një nga aktivistët në protestë ka deklaruar se të gjithë duhet të jenë për decentralizim pasi pushteti është përqendruar në pak duar.

“Përveç protestës në Tiranë, këto ditë janë mbajtur edhe protesta në qytete sepse kjo bashki kërkon të shkrijë një sërë bashkish të vogla. Sot ishim në Belsh për t’i mbështetur. Sot iu bëj thirrje të gjithëve që sot duhet të jemi për decentralizim sepse autokratët të lidhur me krimin po mbajnë pushtetin në duart e tyre”, tha ai.

Një tjetër aktivist bëri thirrje që të mbështetet edhe protesta e qytetarëve të bashkive që po shkrihen nga qeveria aktuale.

Ai tha se janë 15 bashki që po centralizohen nga “pushteti korruptiv i Edi Ramës”, i cili sipas tij është “gati ta shesë vendin për interesat e tij”.

“Rama po kërkon të centralizoj pushtetin vendor duke shkrirë bashkitë. Janë jo vetëm të korruptuar, por edhe autokratë dhe të lidhur me krimin e organizuar si dhe të sheshin Shqipërinë për interesin e tyre”, tha ai.

Më tej aktivisti apeloi që të mbështeten edhe këto protesta në rrethe, me qëllim që kjo qeveri të mos fitonte më shumë pushtet.

“Ndaj të protestojmë edhe në qytetet e tjera që pushteti të mos centralizojë bashkitë dhe të mos bëhet më shumë korruptiv. Ndaj t’i mbështesim protestat e bashkive të tjera në rrethe që po shkrihen”, deklaroi ai.