...
Gjashtë të rinj italianë që ndodheshin për pushime në Shqipëri, janë dhunuar në Tiranë. Sipas rrëfimit të tyre për mediat italiane, ngjarja ka ndodhur më 29 korrik dhe ata janë rrahur nga një grup prej rreth 20 të rinjsh të moshave 16-18 vjeç.
Italianët thonë se fillimisht disa efektivë nuk i ndihmuan dhe i injoruan plotësisht, por ishin një grup tjetër policësh që iu gjendën pranë. Të nesërmen, ata vendosën që gjëja e parë që do të bënin, ishte të ktheheshin sërish në shtëpi.
Ndërkohë, edhe Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me ngjarjen.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të datës 29 korrik 2026 dhe është trajtuar menjëherë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Fillimisht, atyre u ishte ofruar ndihmë nga Policia Bashkiake dhe më pas djali është dërguar në spital.
Italiani është larguar me dëshirë pa përfunduar ekzaminimet mjekësore, ndërsa as ai dhe as dy të tjerët nuk kanë bërë kallëzim në polici.
Nga pamjet e kamerave, ka rezultuar se i lënduari ishte konfliktuar me një grup të miturish.
Njoftimi i plotë:
Në lidhje me një video të publikuar, ku shfaqet një shtetas italian i dëmtuar lehtë, sqarojmë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, më datë 29.07.2026, në zonën pas Pallatit të Kulturës, dhe është trajtuar menjëherë nga Policia për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Konkretisht, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas njoftimit të marrë nga Salla Operative për një konflikt, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar shtetasin italian G. M., me dëmtime të lehta sipërfaqësore. Në vendngjarje ndodheshin edhe dy shokët e tij, të cilët e shoqëronin. Shtetasi italian ishte ndihmuar fillimisht nga punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët ndodheshin në afërsi.
Më pas, shtetasi është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas deklarimeve të personelit mjekësor dhe këqyrjes së kartelës mjekësore, ai ka qenë i vetëdijshëm, jashtë rrezikut për jetën dhe me dëmtime të lehta sipërfaqësore në gjymtyrë. Pas marrjes së ndihmës së parë, ai është larguar me dëshirën e tij, pa përfunduar ekzaminimet mjekësore dhe pa njoftuar stafin mjekësor për largimin e tij.
Gjithashtu ky shtetas nuk ka pranuar të bëjë kallzim në lidhjen me konfliktin dhe personat që e kishin dëmtuar.
Edhe dy shtetasit që e shoqëronin nuk kanë dhënë informacion lidhur me rrethanat e konfliktit.
Pavarësisht mungesës së kallëzimit nga shtetasi italian, grupi hetimor ka vijuar veprimet hetimore, duke këqyrur pamjet filmike, nga të cilat ka rezultuar se shtetasi italian ishte përfshirë në një konflikt me një grup të miturish në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës.
Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.