...
Policia e Shtetit iu ka bërë apel qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në normalizimin e situatës.
“Për shkak të zjarrit të rënë në zonën e Shkozetit, është bllokuar qarkullimi i automjeteve në Unazën e qytetit, në mbikalimin e Shkozetit, në segmentin rrugor “Martin Camaj”, në drejtim të Plepave, si dhe në segmentin rrugor Kavajë-Durrës”, njofton policia.
Ekipet operacionale vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa nuk ka dëme në banesat përreth.
Për arsye sigurie, Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike, pasi objekti ku ka rënë zjarri ndodhet poshtë linjës së transmetimit. Si pasojë, nënstacioni i Shkozetit është aktualisht jashtë funksionit dhe pa energji elektrike.
Autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa pritet të zbardhen shkaqet e rënies së zjarrit.