... Nami.al

Rama kërkon hapje të partisë dhe tregon pse “nuk do e lëshojë timonin”

Kryeministri dhe njëherësh kryetari i PS, Edi Rama, gjatë mbledhjes me drejtuesit politikë socialistë dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, theksoi se do t’i jepet jetë një raporti të ri mes qytetarit dhe qeverinë.

Po ashtu kreu i qeverisë foli për hapje të partisë dhe afrimin e njerëzve të rinj, jo vetëm në moshë por edhe në mendësi.

“Të qëndrosh gjatë në pushtet s’mund të nënkuptojë t’u zësh rrugën të rinjve dhe forcave të reja, por t’u hapësh rrugën të rinjve s’do të thotë t’ua dorëzosh Shqipërinë atyre që e shpallin veten forca të reja, vetëm sepse s’kanë qenë ende në pushtet. Do të thotë të hapësh partinë, të hapësh vendimmarrjen, të hapësh procesin qeverisës për njerëz të rinj, jo thjesht në moshë por në mendësi, të krijosh hapësirë për ide të reja, të prodhosh drejtues jo vetëm ndjekës”, tha Rama.

“T’i japim jetë një marrëdhënie tjetër mes qytetarit dhe qeverisë, dhe ta vëmë partinë në dispozicion të qytetarit dhe të shtetit, jo qytetarin dhe shtetin në dispozicion të partisë”, vijoi kryeministri.

Edi Rama ka deklaruar mw tej se Partia Socialiste nuk do të largohet nga qeverisja për shkak të protestave, duke theksuar se mandati i saj buron nga vota e qytetarëve dhe shumica parlamentare.

Duke iu përgjigjur pyetjes se përse kërkon të vazhdojë të qeverisë edhe pas 13 vitesh në pushtet, Rama tha se në demokraci askush nuk e trashëgon apo e dorëzon pushtetin sipas dëshirës, por vetëm sipas vullnetit të popullit.

“Një parti politike as e trashëgon timonin e pushtetit, as ka të drejtë ta lëshojë rrugës, sepse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit. PS ushtron pushtetin për aq kohë sa populli ia ka dhënë dhe për aq kohë sa ka votat në Kuvend”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se as ai vetë nuk ka të drejtë të vendosë se kush duhet të jetë në qeveri apo në opozitë, pasi këtë e përcaktojnë vetëm qytetarët me votë.

Rama komentoi edhe thirrjet për dorëheqjen e tij, duke thënë se nuk mund të largohet nga detyra vetëm sepse “një pakicë thërret në kor”.

“‘Rama jepe dorëheqjen’, ajo këngë mua më pëlqen dhe më energjizon. Por të largohesh nga detyra pse një pakicë thërret në kor, është vetëm braktisje e një përgjegjësie të madhe”, deklaroi ai.

Në përfundim, kreu i qeverisë tha se misioni i Partisë Socialiste do të vazhdojë deri në realizimin e objektivit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Misioni ynë do të vazhdojë deri në vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Europës së bashkuar”, u shpreh Rama.