...
Tre persona janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pas dy konflikteve të ndodhura për motive të dobëta në Kamëz dhe në zonën e Kombinatit, në Tiranë.
Sipas Policisë, në fshatin Zall-Herr, specialistët e Komisariatit Nr. 5 arrestuan në flagrancë dy të rinj, 20 dhe 21 vjeç, të dyshuar se gjatë një konflikti kanë goditur me grushte dy shtetas. Ndërkohë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Në një rast tjetër, në rrugën “Thoma Goxha”, në zonën e Kombinatit, specialistët e Komisariatit Nr. 6 arrestuan në flagrancë një 37-vjeçar, i dyshuar se ka dhunuar fizikisht dy persona, duke u shkaktuar dëmtime.
Në lidhje me këtë ngjarje, Policia ka shpallur në kërkim edhe një 33-vjeçar, i dyshuar si pjesëmarrës në konflikt. Sipas autoriteteve, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij. Pamjet e përplasjes janë publikuar edhe në rrjetet sociale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të të dyja ngjarjeve.