...
Qytetarët kanë nisur grumbullimin në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të protestës së 42-të kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Më pas, protestuesit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të mbahen edhe fjalimet e organizatorëve.
Sipas organizatorëve, protestës së kësaj të shtune i janë bashkuar edhe shqiptarë nga diaspora. Kërkesa kryesore e tubimit mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestuesit kërkojnë gjithashtu krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime kushtetuese.
Me pankarta dhe flamuj kuqezi në duar, pjesëmarrësit kanë bërë thirrje kundër qeverisë. Në protestë marrin pjesë qytetarë të grupmoshave dhe profileve të ndryshme, përfshirë të rinj, studentë, aktivistë dhe familjarë.
Gjatë tubimit janë dëgjuar edhe slogane si: “Edi Rama, o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Ju erdhi fundi”.
Protesta nisi pas ngjarjes së ndodhur në Zvërnec dhe, sipas organizatorëve, është shndërruar në një lëvizje me kërkesa politike kundër qeverisë. Protestuesit kanë kritikuar edhe vendimin e qeverisë për financimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West, duke e cilësuar atë të pajustifikuar në kushtet aktuale.