... Nami.al

Parlamenti Europian miraton modelin shqiptaro-italian për riatdhesimet, Meloni nuk përmbahet nga gëzimi

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka deklaruar se Italia ka shënuar një “sukses të madh” pas miratimit nga Parlamenti Evropian të rregullores së re për riatdhesimet e emigrantëve.

Në një reagim në platformën X, Meloni tha se kjo është një masë historike që synon përshpejtimin e kthimit të personave që nuk kanë të drejtë qëndrimi në Bashkimin Evropian.

Sipas saj, rregullorja e re përfshin gjithashtu mundësinë e krijimit të qendrave të riatdhesimit në vende të treta, një qasje që ajo e cilësoi si vazhdimësi të modelit të nisur nga qeveria italiane përmes protokollit me Shqipërinë.

Meloni theksoi se kjo zgjidhje është përballur më parë me kundërshtime politike, por sipas saj tashmë është kthyer në një instrument të disponueshëm për të gjithë Bashkimin Evropian.

Ajo deklaroi se objektivi i politikës së re është menaxhimi më i rregullt dhe më efektiv i migracionit, forcimi i kufijve dhe përshpejtimi i kthimit të personave që nuk plotësojnë kushtet për qëndrim.

Në një tjetër reagim, Meloni tha se me miratimin përfundimtar të disa dispozitave të reja për riatdhesimet e asistuara, Italia po forcon instrumentet e saj në menaxhimin e flukseve migratore, duke theksuar “më shumë seriozitet, më shumë rend dhe më shumë efikasitet”.

Ajo shtoi se qeveria e saj do të vijojë në këtë drejtim, duke e konsideruar menaxhimin e migracionit si një nga prioritetet kryesore të politikës italiane dhe evropiane.