... Nami.al

Dyshohet se u vra për hakmarrje, del foto e viktimës në Mirditë, u qëllua me breshëri plumbash

Është publikuar fotoja e 45-vjeçarit Valter Lleshi, i cili mbeti i vrarë mëngjesin e së hënës pas një sulmi me armë zjarri. Viktima u qëllua me breshëri plumbash teksa ndodhej brenda automjetit të kompanisë ku ishte i punësuar.

Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 07:10 në fshatin Shkorrët, përgjatë segmentit rrugor Reps–Spaç, në Mirditë.

Hetuesit po punojnë mbi disa pista, ndërsa një prej tyre lidhet me mundësinë e një hakmarrjeje. Sipas dyshimeve paraprake, Lleshi mund të ketë pasur lidhje me vrasjen e Anton Kelit, ngjarje e ndodhur më herët në Rrëshen.

Anton Keli rezulton të ketë qenë i afërm i Armando Gjinit. Megjithatë, burime nga policia bëjnë me dije se deri në këtë fazë të hetimeve, Valter Lleshi nuk ka qenë as i hetuar dhe as i skeduar si person i dyshuar për vrasjen e Kelit.

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.