... Nami.al

“Nuk e ndjej veten fajtore”, Fatime Kryemadhi: S’e dua gjykimin e shkurtuar! Gjykata rrëzon kërkesën e saj

Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, është tërhequr nga kërkesa për gjykim të shkurtuar në procesin penal ku akuzohet për pastrim parash.

Në seancën e zhvilluar në GJKKO, në momentin kur SPAK pritej të paraqiste pretencën përfundimtare, Kryemadhi kundërshtoi vijimin e procesit me gjykim të shkurtuar, duke deklaruar se nuk e ndjen veten fajtore dhe se organi i akuzës nuk ka marrë në konsideratë të ardhurat e saj.

“Nuk dua gjykim të shkurtuar. Nuk e ndjej veten fajtore. SPAK nuk ka marrë asgjë parasysh nga të ardhurat e mia”, u shpreh ajo para trupit gjykues.

Gjyqtarja i sqaroi të pandehurës se gjykimi i shkurtuar nuk nënkupton pranimin e fajësisë, por zhvillimin e procesit mbi bazën e akteve dhe provave të administruara deri në atë fazë të hetimit dhe gjykimit.

Pas shqyrtimit të kërkesës, gjykata e ka refuzuar kërkesën e Fatime Kryemadhit dhe ftoi prokurorin të lexojë pretencën.

Duke qenë se SPAK nuk e kishte gati pretencën, seanca u shty për në datë 30 qershor.

Fatime Kryemadhi është pjesë e dosjes Meta-Monika Kryemadhi. Ajo dyshohet se në skemën korruptive të ngritur, ka ndihmuar në pastrimin e parave, së bashku me Ema Çokun.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka ngritur ndaj çiftit Meta-Monika Kryemadhi tre akuza: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.