...
Një operacion i përbashkët mes Doganës së Durrësit dhe Policisë së Shtetit ka çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e disa sendeve të dyshuara me vlerë të lartë në Portin e Durrësit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në automjete të mbërritura nga Italia, autoritetet kanë gjetur katër gurë të çmuar, që dyshohet se janë diamante. Po ashtu, është sekuestruar një aparaturë elektronike e përdorur për detektimin e metaleve të çmuara.
Sipas njoftimit zyrtar, pajisja u zbulua në një valixhe brenda një automjeti që kishte mbërritur me tragetin e linjës Ankona–Durrës.
Ndërkohë, kontrollet zbuluan edhe një sasi të dyshuar kokaine të fshehur në kabinën e drejtuesit të një automjeti tjetër. Të gjitha materialet e sekuestruara janë marrë në administrim nga autoritetet përkatëse për verifikime të mëtejshme. Rastet janë referuar pranë strukturave kompetente.
Njoftimi i policisë:
Dogana Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, bllokuan ditën e sotme gjatë disa kontrolleve të kryera në Portin e Durrësit një sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë, katër gurë të çmuar të dyshuar si diamante, si dhe një aparaturë elektronike për detektimin e metaleve të çmuara.
Gjatë kontrollit të një automjeti të mbërritur me tragetin e linjës Ankona–Durrës, u konstatua një valixhe që përmbante aparaturën detektuese dhe disa aksesorë të montueshëm.
Gjatë kontrollit fizik të një shtetasi që udhëtonte me një tjetër automjet të ardhur nga Italia, u gjetën katër paketime transparente që përmbanin gurë të ngjashëm me diamantet.
Në një automjet tjetër u zbulua një sasi e dyshuar lënde narkotike, kokainë, e fshehur në një veshje të vendosur në kabinën e drejtuesit të mjetit.
Rastet iu referuan strukturave kompetente për veprime të mëtejshme procedurale dhe hetimore.