...
Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i koduar “Rrjeti”, i cili çoi në goditjen e një aktiviteti të paligjshëm të trafikut të armëve dhe lëndëve plasëse në kryeqytet.
Katër personat e arrestuar dhe dy të tjerët që janë shpallur në kërkim nga policia kanë rënë në pranga pas një hetimi ku janë përdorur blerjet e stimuluara nga agjentët e infiltruar, të cilët kanë siguruar provat materiale për llogari të Prokurorisë së Tiranës.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se gjashtë personat e përfshirë në këtë fazë të operacionit janë pjesë e dy grupeve të ndryshme kriminale që bashkëpunonin në këtë fushë. Anëtarë të tjerë të këtyre dy grupeve ishin arrestuar edhe më parë në flagrancë nga uniformat blu gjatë aksioneve të mëhershme.
Hetuesit kanë dokumentuar edhe çmimet që anëtarët e këtij rrjeti aplikonin në tregun e zi për shitjen e armatimit. Pistoletat shiteshin prej tyre me çmime që shkonin deri në 1500 euro, ndërsa armët automatike të llojit kallashnikov kapnin vlerën deri në 2500 euro, në varësi të porosive.
Grupi kishte ngritur një rrjet të shtrirë në terren dhe bazat ku ata vepronin ose mbanin armatimin ishin të vendosura në disa zona të ndryshme të Tiranës, çka bënte që aktiviteti të ndryshonte shpesh lokacion për t’i shpëtuar vëzhgimit të policisë.
Operacioni vijon për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim, Kevin Vila dhe Bledar Avdillari, si dhe për dokumentimin e plotë të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.