...
Tragjedia në Vidhishtë, lamtumira e fundit për çiftin Plaka
Mes dhimbjes së thellë dhe tronditjes së komunitetit, familjarë, të afërm dhe banorë të fshatit Vidhishtë, bashkia Roskovec, po i japin sot lamtumirën e fundit çiftit Kosta dhe Bejlere Plaka. Dy bashkëshortët humbën jetën dje në mënyrë tragjike, pasi u qëlluan për vdekje nga Refik Buzi, ish i fejuari i vajzës së tyre.
Ceremonia mortore po zhvillohet në prani të dhjetëra njerëzve, të cilët kanë ardhur për të ndarë dhimbjen dhe për të përcjellë çiftin drejt banesës së fundit. Ngjarja ka lënë të tronditur të gjithë komunitetin, duke u cilësuar si një nga më të rëndat që ka ndodhur ndonjëherë në zonë.
Ndërkohë, ceremonia mortore e autorit të dyshuar, Refik Buzi, pritet të mbahet ditën e nesërme.
Çfarë ndodhi në Vidhishtë
Mëngjesin e djeshëm 24 korrik rreth orës 05.00, Refit Buzi 35 vjeç shkoi në banesën e familjes Plaka. Ai debatoi me kryefamiljarin Kosta Plaka 58 vjeç dhe më pas hapi zjarr me një çifte duke e lënë të vrarë.
Nuk u ndal, por qëlloi edhe të shoqen 55 vjeçare Belere Plaka. Ajo u plagos rëndë dhe vdiq disa orë më vonë në spital.
Pasi qëlloi çiftin, ai mori me forcë të dashurën e tij, vajzën e tyre 24 vjeçare Rozalinda dhe, me armën në dorë e futi në makinën e tij dhe u larguan në drejtim të paditur.
Policia nisi një operacion për kapjen e tij dhe e lokalizoi. Refiti vendosi pas pak orësh ta lërë të ikë Rozalindën dhe ajo u dërgua për kontroll mjekësor në spital.
Ndërsa policia i kërkoi të dorëzohej, për orë të tëra ai refuzoi derisa në orën 16.35 vrau veten.