...
Shtetet e Bashkuara po përgatiten të reduktojnë ndjeshëm praninë e tyre ushtarake në Evropë, më shpejt nga sa kishin parashikuar aleatët e NATO-s dhe pa një periudhë të konsiderueshme tranzicioni, raporton Welt am Sonntag.
Sipas një zyrtari të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, ndryshimet do të përfshihen në një propozim që Pentagoni pritet të paraqesë gjatë konferencës së ardhshme të gjenerimit të forcave të NATO-s, e planifikuar për muajin qershor.
Zyrtari tha se Washingtoni synon t’u japë aleatëve qartësinë e nevojshme për të kaluar drejt një modeli ku vendet evropiane marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale të kontinentit.
Qasja pasqyron një kërkesë të kahershme të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndaj vendeve evropiane të NATO-s. Pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, kjo politikë është përfshirë edhe në strategjitë kombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes amerikane.
Logjika e re strategjike e Washington-it bazohet në idenë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të përgatiten njëkohësisht për konflikte madhore në disa fronte. Për këtë arsye, fokusi është zhvendosur drejt Kinës dhe rajonit Indo-Paqësor, ndërsa Evropa pritet të marrë më shumë përgjegjësi për frenimin e Rusisë.
Sipas raportimit, aleatët evropianë prisnin që çdo tërheqje e forcave amerikane të realizohej gradualisht dhe në koordinim me NATO-n. Megjithatë, propozimi aktual nuk parashikon një periudhë të gjatë përshtatjeje.
Në një takim të zhvilluar së fundmi në Bruksel, këshilltari i lartë i Pentagonit për politikat e mbrojtjes, Alexander Velez-Green, informoi aleatët për synimin e Washington-it për të reduktuar pjesërisht kontributin në strukturën e përbashkët të parandalimit të NATO-s.
Sipas revistës gjermane Der Spiegel, planet përfshijnë uljen me rreth një të tretën të numrit të avionëve luftarakë amerikanë të vendosur në Evropë.
Reduktimet më të mëdha pritet të prekin Modelin e Forcave të NATO-s, sistemin e reagimit të shpejtë të Aleancës, i cili përcakton numrin e trupave që mund të dislokohen brenda 10 deri në 30 ditëve dhe kapacitetin për mobilizimin e deri në 800 mijë ushtarëve brenda gjashtë muajve.
Shkurtimet mund të përfshijnë bombardues strategjikë, kapacitete goditëse me rreze të gjatë, forca detare dhe avionë për furnizim me karburant në ajër.