...
Një mjet lundrues tip Jet Ski është bllokuar nga Policia Kufitare në Vlorë, pasi dyshohet se ka shkelur perimetrin e sigurisë në zonën e Karaburunit, duke rrezikuar jetën e pushuesve.
Ndërhyrja e policisë erdhi pas raportimeve dhe një videoje të dërguar nga qytetarët, ku shfaqej mjeti lundrues duke lëvizur pranë bregut, në kundërshtim me rregullat e sigurisë për zonat e frekuentuara nga pushuesit.
Pushuesit kanë njoftuar Policinë e Shtetit për shkeljen e perimetrit të sigurisë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur rrezikun.
Policia Kufitare reagoi duke bllokuar mjetin dhe duke ndëshkuar drejtuesin sipas ligjit.
Mjeti u bllokua në pikën e caktuar për bllokimin e mjeteve lundruese afër SMIL-it, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi E. U., u ndëshkua me një masë administrative në vlerën 500 mijë lekë të rinj.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Vlorës thekson se:
“Menjëherë pas raportimeve dhe videos së dërguar nga qytetarët në Policinë e Shtetit, ku shfaqej një mjet lundrues tip Jet Ski që kishte hyrë në afërsi të bregut në zonën e Karaburunit, duke shkelur perimetrin e sigurisë dhe duke rrezikuar jetën e pushuesve, shërbimet e Policisë Kufitare bënë të mundur ndalimin e mjetit lundrues. Drejtuesi u ndëshkua me masë administrative në vlerën 500.000 lekë të rinj.”
Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve lundruese që të respektojnë perimetrin e sigurisë dhe të zbatojnë rregullat e lundrimit, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve përgjatë vijës bregdetare.