... Nami.al

Deputeti i Bundestagut mesazh për Berishën: Zgjidhni kryetar të ri në PD, e di se kush mund të jetë, por po e mbaj gojën kyçur

Deputeti i Bundestagut gjerman nga CDU, Peter Beyer, bëri një deklaratë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, përmes një mesazhi online ku tha se ka ardhur koha për vendime të mëdha dhe për një riorganizim të ri në drejtimin e partisë.

“Ju keni një kongres shumë të rëndësishëm partiak. Merrni vendime të mëdha, zgjidhni një bord të ri, një kryetar të ri, një president të ri. Kam disa ide se kush mund të jetë, por do ta mbaj gojën mbyllur. Shqipëria juaj përballet me një sfidë shumë të madhe, rrugën drejt Bashkimit Europian. Ju jeni aktualisht opozita më e rëndësishme dhe pritshmëritë nga CDU dhe Europa janë shumë të larta. Nuk ka kohë për konflikte të brendshme, por vetëm për fokus te integrimi europian.Tani është koha për bashkim për një qëllim të vetëm, integrimin e vendit në BE”, u shpreh Beyer.

Në fjalën e tij, Beyer u shpreh se, megjithëse nuk mund të ishte fizikisht i pranishëm në kongres për shkak të angazhimeve të tjera, ai ndihet pranë demokratëve dhe ndjek me interes zhvillimet brenda partisë ndërsa u shpreh se ai dhe partia e tij kanë pritshmëri të larta për Partinë Demokratike dhe rolin e saj në procesin e integrimit europian të Shqipërisë ndërsa sipas tij, ky është një moment i rëndësishëm për bashkim dhe përqendrim te një objektiv i vetëm.